Zeqiri: Shtrenjtë do ta paguaj kjo qeveri korrupsionin e bardhë

Maqedonia

Zeqiri: Shtrenjtë do ta paguaj kjo qeveri korrupsionin e bardhë

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 11:08
Ish deputeti Izet Zeqiri

Ish deputeti Izet Zeqiri përmes një statusi të publikuar në profilin e tij në facebook, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale duke nënvizuar se: kjo qeveri do ta paguaj shtrenjtë korrupsionin e bardhë”.

Zeqiri më tej shkruan se nga qeveria aktuale ka pritur “transformim” dhe jo vazhdimin e avazit të vjetër të korrupsionit.

“Nga kjo qeveri pritëm, “ndryshim”, që nënkupton ndërrimin e ndonjë gjendjeje, procesi, përmbajtjeje, mënyrës së të punuarit, sjelljeje, procedure që ka mbisunduar gati 10 vite. Çfarë ndryshimi po shohim me këtë mënyrë të qeverisjes korruptive, asgjë të re, do të thoja një modifikim që është ndryshim sipërfaqësor apo formal pa ia ndryshuar thelbin e mënyrës së qeverisjes nga qeverisja paraprake. Sinqerisht kam pritur jo ndryshim, por TRANSFORMIM, që është ndryshimi i plotë i karakterit të diçkaje ose të të bërit të politikës, jo vazhdimi i avazit të vjetër të korrupsionit, nepotizmit, kronizmit dhe patronazhës”, shkruan Izet Zeqiri.

“Korrupsioni i bardhë i përfshin ato forma të sjelljes korruptive të cilat në disa mjedise këtu te ne nuk kuptohen si jo morale si rezultat i traditës dhe mentalitetit. Këto forma janë: Nepotizmi, kronizmi dhe patronazha (protekcioni). Nepotizmi është një sëmundje nga e cila lëngon gati çdo institucion shtetëror sepse edhe sot e kësaj dite zyrtarët publik e keqpërdorin pozitën e vetë, autoritetin zyrtar dhe forcën e ndikimit me qëllim në disa vende në administratën publike ose në organet e tjera shtetërore të venë ose të punësojnë njerëz të afërt të familjes. Forma tjetër e korrupsionit të bardhë është kronizmi dhe patronazha (protekcioni) edhe pse thellësisht dallojnë, këto kanë pika të përbashkëta. Në organet shtetit në këtë situate në vend të punësimit të familjarëve këtu punësohen miq, shokë të afërt për mbrojtje dhe përkrahje nga ana e ndonjë personaliteti me ndikim. Këto elemente janë dukuri masovike në të gjitha institucionet si rezultat i mos respektimin të kritereve të meritokracisë”, shkruan më tej në profilin e tij në facebook ish deputeti, Izet Zeqiri që sipas tij të gjitha këto elemente korruptive sot më të shprehura janë në sektorin publik, në institucione shtetërore, në mes të politikanëve, gjyqësi dhe institucioneve tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat