Ish-ministrat maqedonas sulmohen fizikisht në burg

Maqedonia

Ish-ministrat maqedonas sulmohen fizikisht në burg

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 07:41
Ish-ministrat maqedonas sulmohen fizikisht në burg

Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut kërkoi të premten transferimin në një institucion tjetër paraburgimi të dy ish-ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, pasi druhen për sigurinë e tyre fizike.

Shkak për vendimin u bë një sulm i organizuar ndaj dy të pandehurve në burgun e Shutkës, kur ata po shfrytëzonin kohën e ajrimit në ambientet e burgut.
Mediet lokale raportuan fillimisht se ish-ministri i Arsimit, Ristovski, mbeti me nofull të thyer dhe po trajtohet në spital, ndërsa ish-kolegu i tij nuk ka marrë lëndime trupore nga sulmi që nisi pas një zënke me fjalë.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shkup reagoi të premten duke e dënuar dhunën e ushtruar ndaj dy zyrtarëve të mëparshëm, ndërsa drejtori i burgut mori përsipër përgjegjësinë duke dhënë dorëheqjen.

Ndaj dy ish-ministrave u caktua të martën masa 30 ditë paraburgim nën akuzën e organizimit të incidentit të dhunshëm në parlament në datën 27 prill 2017, kur protestuesit mësynë në Kuvend dhe goditën disa pjesëtarë të tij duke kundërshtuar zgjedhjen e politikanit shqiptar, Talat Xhaferi, në krye të tij.

Prokuroria akuzon si nxitës kryesor të akteve të dhunës ish-kryeministrin Nikola Gruevski, që është arratisur si azilant në Hungari, por nën akuzë është vënë edhe ish-kryetari i parlamentit, i cili po ashtu rrezikon paraburgimin nëse parlamenti vendos për heqjen e mandatit të tij të deputetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat