Kushtet në shkolla: “Ismail Qemali” jashtë listës së investimeve të MASH-it

Maqedonia

Kushtet në shkolla: “Ismail Qemali” jashtë listës së investimeve të MASH-it

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 09:07
Foto

Kjo shkollë ku në një paralele numri i nxënësve shkon madje edhe në 40, që përbën shkelje të ligjit për arsim, nuk është në listën e shkollave të publikuara në MASH, në të cilat do të bëhen ndërtime shtesë e madje edhe objekte të reja shkollore.

Ministri Arbër Ademi kohë më parë tha se në Çair është problem mungesa e hapësirës për ndërtim.

Prindërit shfaqin revoltë të madhe ndaj këtij ‘diskriminimi’ siç thonë ata, pasi që po të ishte mungesa e hapësirës, atëherë do të stopoheshin ndërtimet e ndërtesave që kanë mbipopulluar këtë komunë.

“E dëgjuam ministrin që tha nuk ka vend ku të ndërtohet. Kjo nuk është e vërtetë, ai duhet të bisedon me kryetarin e komunës së Çairit dhe të stopojnë ndonjë ndërtesë që po prish parqet e pakta që kanë ngelur në këtë hapësirë e të ndërtohet shkollë. Më mirë të punohet për të ardhmën e ndritur të fëmijëve sesa për xhepat e funksionarëve. Por për këtë askush nuk flet, për ndërtesa ka vend sa të duash e për shkolla jo. Turp të kenë të gjith”, thonë përindërit.

Para se të publikohet lista e investimeve MASH tha se në bashkëpunim me organet kompetente të pushtetit lokal, do të bëjmë përpjekjet maksimale që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur.

 “Jemi të njoftuar se në këtë shkollë ka probleme të mungesës së hapësirave dhe në bashkëpunim me organet kompetente të pushtetit lokal, do të bëjmë përpjekjet maksimale që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha për Portalb.mk, Laura Paparaniku nga MASH duke mos konkretizuar se për çfarë përpjekje bëhet fjalë.

Njëkohësisht në këtë shkollë pothuajse të gjitha klasat janë shumë afër pragut të numrit të lejuar me ligj për nxënës në klasë, që është 34, kurse disa prej tyre edhe e tejkalojnë këtë numër.

Drejtoresha e kësaj shkolle Burbuqe Ymeri, tha për Portalb.mk se klasat më të ngarkuara janë ato të klasës së pestë, ku numri i nxënësve në çdo paralele ka tejkaluar atë 34.

“Pothuajse të gjitha klasat janë të stërngarkuara, por problemi më i madhi qëndron me klasat e pesta dhe qëndrimin ditor, të cilat janë deri me nga 39 e 40 nxënës”, tha Ymeri për Portalb.

Gjithashtu edhe mësimdhënësit shprehen se është mjaftë e vështirë të punohet me numër kaq të madh të nxënësve në një klasë.

Kurse komuna e Çairit nën kompetencat e së cilës është shkolla fillore “Ismail Qemali”, thotë se ka projekt për zgjidhjen e problemit të numrit të madh të nxënësve, ku pothuajse në të gjitha paralelet tejkalohet numri maksimal i lejuar me ligj, që është 34 nxënës.

Nga kjo komunë sqarojnë se në projektin e hartuar për zgjerimin e shkollës së lartpërmendur, janë paraparë të ndërtohen plus tetë paralele.

Ndryshe, sipas ligjit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, numri minimal i nxënësve në një paralele është 24 dhe maksimal 34, mirëpo paralele mund të formohet edhe me numër më të vogël nëse plotësohen kushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat