Ambulancat private që s’kanë kontratë me Fondin e Shëndetësisë do të duhet të inkuadrohen në sistemin “Termini im”

Maqedonia

Ambulancat private që s’kanë kontratë me Fondin e Shëndetësisë do të duhet të inkuadrohen në sistemin “Termini im”

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 09:34
Termini im

Institucionet private shëndetësore, të cilat nuk kanë kontratë me Fondin për Sigurim Shëndetësor (FSSHM), prej tani do të kenë obligimin t’i paraqesin shërbimet shëndetësore që i japin në sistemin nacional “Termini im”. Zhaklina Çagaroska nga Drejtoria për Shëndetësi Elektronike tha se me ndryshimet e “Termini im” dhe mënyra e re udhëzimit, që ka filluar prej dje, institucionet private shëndetësore do të marrin llogari përdoruesi dhe do të kenë obligim t’i plotësojnë evidencat në formë elektronike, përkatësisht fletëparaqitje për lindje dhe sëmundje, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Ajo ka thënë se versioni i ri i sistemit nacional për evidenca shëndetësore “Termini im 2.0” ka filluar të shtunën, kur kanë qenë të integruar sistemet e më tepër se 70 kompanive softuerike sistemet e të cilave i përdorin mjekët dhe institucionet shëndetësore, kurse vet sistemi tanimë ka mbi 30 module. Çagaroska thotë që sistemi i ri veç më është i integruar me sistemin e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe me Drejtorinë për mbajtjen e librave amë, përkatësisht çdo lindje paraqitet në formë elektronike.

“Siç kemi paralajmëruar, është anuluar udhëzimi me prioritet, kurse fillon përdorimi i  udhëzimit Pa termin, i cili zgjat 7 ditë dhe Udhëzimi urgjent, ndërsa inkorporohet obligimi që në afat prej 24 orësh të lëshohet fletë lëshimi për pacientin pas çlajmërimit nga spitali. Gjatë kësaj kemi dhënë edhe mundësi që në ditarin elektronik të paraqitet edhe rezultat nga mikrobiologjia dhe nga patologjia për udhëzimin e lëshuar dhe të vjen deri tek mjeku që e ka lëshuar, pa qenë pacienti i detyruar të shkojë për rezultatet”, ka thënë Çagaroska.

Dje dhe sot, një pjesë e mjekëve amë kanë reaguar se sistemi nuk funksionon, përkatësisht se nuk mund të lëshojnë udhëzime dhe pushime mjekësore. Të revoltuar ishin edhe pacientët, të cilët nuk mund ta bënin testimin e duhur laboratorik.

“Kishim paraqitje edhe nga mjekët se udhëzime të caktuara nuk mund t’i lëshojnë, mirëpo pas harmonizimit me shtëpitë softuerike që e mirëmbajnë sistemin, problemet u tejkaluan”, thotë Çagaroska.

Ajo tha se gjatë ditës së kaluar dhe të sotme i kanë mënjanuar të gjitha mangësitë teknike dhe se me sugjerim të gjinekologëve dhe pediatrave në sistem janë shënuar si specialistë, për shkak se gabimisht kanë qenë të shënuar si mjekë të përgjithshëm, të cilët nuk mund të lëshojnë ilaçe të caktuara.

“Gjatë ditës së djeshme, janë lëshuar mbi 96.000 udhëzime dhe më shumë se 86.000 receta, që është e zakonshme. Gjatë kësaj janë lëshuar mbi 4.500 udhëzime të reja, përkatësisht Urgjent24 dhe Pa termin. Prej tyre rreth 2.700 janë Urgjent 24, nga të cilat mbi 1.000 janë lëshuar prej mjekëve amë, kurse rreth 1.900 janë udhëzimet Pa termin nga të cilat mbi 1.600 janë lëshuar nga mjeku amë”, ka thënë Çagaroska.

Ajo ka thënë se me mënyrën e re të udhëzimit mjekët amë dhe gjinekologët do të mund të lëshojnë edhe udhëzime për testime laboratorike, për të cilat deri tani udhëzime kanë dhënë specialistët, përkatësisht test për glukozë gjatë shtatzënisë dhe test për status hormonal tiroid.

Sistemi ka treguar që më së shumti udhëzime urgjente janë lëshuar për rentgen diagnostikë, mjekësi interne dhe ortopedi, kurse nëpër institucione më së shumti janë lëshuar për Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, si dhe në spitalet e përgjithshme në Prilep, Kumanovë, Strumicë dhe Shtip. Nga udhëzimet e lëshuara urgjente më së shumti kanë qenë me diagnozë udhëzim hipertension, dhembje abdominale dhe të komblikut, bronkit akut.

Prej udhëzimeve pa termin dje më së shumti janë lëshuar në spitalin e Strumicës, në Klinikën për radiologji dhe në spitalet e Tetovës, Shtipit dhe “8 Shtatori” në Shkup. Pa termin, ose udhëzim që zgjat shtatë ditë më së shumti janë lëshuar për mjekësi interne, rentgen diagnostikë dhe ortopedi.

Çagaroska ka thënë se një pjesë e spitaleve dhe mjekëve kanë reaguar se shumë nga pacientët të cilët dje kanë qenë të dërguar si raste urgjente, aspak nuk kanë qenë urgjente dhe se do t’i shqyrtojnë të dhënat dhe do të formojnë komisione që do të shqyrtojnë për çka bëhet fjalë, së bashku me Odën e mjekëve dhe Fondin për sigurim shëndetësor. Në qendrat urgjente për raste urgjente nuk do të ketë nevojë për udhëzim.

Ajo ka thënë se edhe qytetarët por edhe mjekët dhe institucionet shëndetësore mund të lajmërohen në numrin falas 02/15444 ku mund të marrin informata për mënyrën e re të funksionimit të sistemit, si dhe të japin vërejtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat