Musliu: Jemi mësuar që para çdo cikli zgjedhor të ketë tensione mes partnerëve të koalicionit qeverisës

Maqedonia

Musliu: Jemi mësuar që para çdo cikli zgjedhor të ketë tensione mes partnerëve të koalicionit qeverisës

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 10:38
Analisti nga Shkupi, Albert Musliu

Tensionet mes partnerëve të koalicionit qeverisës po bllokojnë zbardhje e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit, theksojnë njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut. Ata komentojnë mosmarrëveshjes mes partnerëve të koalicionit, lidhur me mosheqjen e imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së Trajko Veljanovski, i cili akuzohet për ngjarjet në Kuvend.

Përplasjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës, partisë shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e cila drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë për bazë bllokimin e seancës gjatë fundjavës kur duhej të votohej heqja e imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovskit.

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Veljanovski gjykohet me akuzën për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit, në kohën kur drejtonte seancën konstituive.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi fajin e ka adresuar në llogari të deputetit socialdemokrat, Muhamed Zekiri, pasi siç është shprehur Xhaferi, është detyruar të ndërprerje seancën për shkak të sjelljes së pahijshme të deputetit Zekiri.

Kryeparlamentari Xhaferi ka qenë i vendosur në qëndrimin e tyre, duke u shprehur se në asnjë mënyrë nuk është shkelur qëllimshëm afati për të votuar lidhur me heqjen apo jo të imunitetit për Veljanovskin.

Ndërkohë, deputetët e LSDM-së kanë akuzuar BDI-në për një koalicion të fshehtë me VMRO-në, për siç janë shprehur, “për të mbrojtur krimin”.

Gjatë të martës, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se nuk ka përplasje të pazgjidhshme, por vetëm mosmarrëveshje për një çështje që pritet të zgjidhet.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë për Radion Evropa e Lirë thotë është bërë e zakonshme që para proceseve zgjedhore të ashpërsohen raportet mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Ai në këtë kontekst e sheh dhe zënkën e fundit mes BDI-së dhe LSDM-së.

“Ne si shoqëri jemi mësuar që çdo herë kur ka zgjedhje, para mbajtjes së tyre të kemi në një formë të caktuar situata tensionuese mes partnerëve të koalicionit. Tani se ky tension a është mes partive politike apo bëhet fjalë për animozitet personal është çështje që do ta zbardhë koha”, thotë Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat