Kryeministri Zaev: Nuk do kemi përparim pa pasur pajtim brenda në vend

Maqedonia

Kryeministri Zaev: Nuk do kemi përparim pa pasur pajtim brenda në vend

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 20:51
Zoran Zaev

Ne mund të jemi me shpresë të madhe për perspektivën e shtetit tonë, por nëse brenda në vend nuk i rregullojmë punët, ky do të jetë vetëm frenim për rritjen dhe zhvillimin tonë për avancimin e cilësisë së përgjithshme të jetës në vend. Në kohën kur u pajtuam edhe me fqinjët, vallë nuk mund të pajtohemi brenda në vend, tha kryeministri Zoran Zaev në mbledhjen kuvendore duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga deputetja Vesna Damçevska Ilievska nga VMRO-DPMNE.

Lidhur me vërejtjet e saja se procesi i pajtimit në Kuvend për ngjarjet e 27 prillit nuk po i jep rezultatet, ndërkaq polarizimi ende është i pranishëm në shoqëri, ai bëri thirrje për vazhdim të dialogut mes pushtetit dhe opozitës.

“Ka shumë çështje, përmes grupeve të punës mund të vazhdojmë t’i shqyrtojmë. E di se ekziston një dialog i caktuar, por duhet ta intensifikojmë sepse edhe takimet tona të shpeshta dërgojnë porosi të dobësimit të shoqërisë. Të flasim shumë më shpesh edhe për faljen edhe për pajtimin dhe ju bëj thirrje të gjithëve të kyçeni në atë trup koordinues nacional. Duhet të ketë pajtim edhe në gjyqësi… Kulminacioni ishte në Parlament dhe prej këtu duhet të fillojmë, por duhet të vazhdojmë në institucionet publike shtetërore, nëpër komunat e vendit, por edhe të fillojmë në degët rinore politike në çdo vend. Këtë që na ndodhi në shtet gjatë tërë periudhës së kaluar nuk do ta rregullojë dikush tjetër, nëse jo ne, përgjegjësit e parë”, tha kryeministri.

Tha se tashmë është formuar trupi koordinues nacional të cilin e kryeson kryetari i Kuvendit, ndërsa ndihmë ofron edhe komuniteti ndërkombëtar. Sipas tij, tani është koha që ky trup të vihet në funksion, ndërkaq siç theksoi, edhe ai edhe ministrat qëndrojnë në dispozicion për gjithçka që do të nevojitet.

“Besoj se do të jetë e ndihmës nëse bëjmë hap të dukshëm përpara edhe për ekonominë, edhe për suksesin e përgjithshëm për shtetin. Dëshiroj të dërgoj porosi të shtrirjes së dorës. Vjen fushata për zgjedhjet presidenciale dhe në vetë fushatën ne mund të dërgojmë porosi të maturisë dhe përgjegjësisë apo të konfrontizmit që lë përshtypje të keqe. Pajtimi është i rëndësishëm, më i rëndësishëm edhe se disa reforma që i bëjmë. Besoj se mund të t’ia dalim, ndoshta jo 100 për qind, por në përqindje serioze , përmes politikës së faljes dhe pajtimit, ngadalë mund ta kthejmë kohezionin në shoqëri, secili ta bëjë punën e vet, në mënyrë që ta kemi mirë këtu dhe të rinjtë të mos largohen”, tha Zaev.

Për largime të përfolura nga puna të personave të afërt me pushtetin e kaluar, tha “as nuk kam dhënë udhëzim politik, as që dua të jap udhëzim që të ndërtohet fat në fatkeqësi të dikujt tjetër”.

“Dhashë udhëzime, ndërkaq ka edhe gjithnjë e më shumë mundësi në buxhet që çdokujt që punon t’u jepet vendimi, ndërsa të rinjve të cilët do të pranohen, të jenë në kohë të caktuar me afat për praktikë, por ta kemi kujdes rendin që ata që punojnë të marrin vendime, të rinjtë të mos e marrin vendin e atyre më me përvojë”, tha Zaev.

Lidhur me pyetjen e deputetes Damçevska Ilievska se nuk ka asgjë nga reformat në arsim dhe rritje të rrogave për të punësuarit në institucionet arsimore, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, në përgjigjen e tij foli për aktivitetet dhe planet që i kanë ndërmarrë dhe po i ndërmarrin në pjesën e reformave. I ceki subvencionet për furnizim të instrumenteve muzikore, ndryshimet e programeve mësimore në pjesën e arsimit të mesëm profesional në të cilat është i kyçur edhe komuniteti afarist në mënyrë që t’i përmbushë kërkesat e tregut të punës, ndërkaq për herë të parë këtë vit filluan me konceptin e arsimit dual sipas modelit gjerman. Foli edhe për ndryshimet ligjore në arsimin e lartë, për bursat e studentëve të pedagogjisë, për mbështetje financiare të nxënësve të talentuar, më pas për standardin e nxënësve.

Ai deklaroi se në Byronë për arsim publik po punohet intensivisht në përgatitjen e programeve të reja muzikore prej klasës së 6-të deri në të 9-tën, duke pasur parasysh se librat ekzistues nuk përdoren në procesin arsimor. Në përgatitje është, tha, edhe ligji për Arsimin fillor dhe të mesëm dhe pritet versioni final të kalojë në Qeveri.

Në mënyrë procedurale reagoi Ziadin Sela për atë që është paraqitur të parashtrojë pyetje i 17-ti me radhë, që sipas tij është mosrespekt nga shumica parlamentare, dhe tentim për censurë që të mos dëgjohet zëri i opozitës.

“Është më se e qartë se Parlamenti sërish kontrollohet nga subjektet politike të cilat janë në pushtet. Çdoherë opozita shqiptare ishte pas vendit të tetë për parashtrim të pyetjeve të deputetëve, ndërkaq tani Ziadin Sela është i 17-ti me radhë. Me këtë a doni ta mbuloni teatrin prej para disa ditëve që e servuat për marrje të imunitetit të deputetit Veljanoski, a ka të bëjë kjo me atë se nuk keni përgjigje përse për herë të dytë ia merrni kompetencat në arsim kryetarit të Komunës së Gostivarit. Ndoshta frikësoheni të përballeni me opozitën. Por, Ziadin Sela dhe Aleanca për shqiptarët është subjekt i rëndësishëm kur duhet të bisedohet për ndryshime kushtetuese, kur ju duhen lojëra për gjoja kandidat të përbashkët për president. Nëse opozita shqiptare nuk është në vendin e katërt në listat për pyetje të deputetëve, këto mbledhje nuk duhet të mbahen”, tha Sela.

Replikoi nënkryetari i Kuvendit, Goran Miskovski, i cili vërejtjet e Selës i vlerësoi si marketing politik.

“Në pajtim me nenin 2 të Rregullores kryetari i Kuvendit së bashku me koordinuesit e përpilon listën për pyetje të deputetëve dhe nuk mban ujë vërejtja juaj”, tha Misovski dhe shtoi se kolegu i tyre partiak Rushiti pati mundësi të parashtrojë pyetje.

Përgjigje të njejtë mori edhe deputeti Amdi Bajram i cili në mënyrë procedurale reagoi që ishte vendosur në vendin 16-të në listën e pyetjeve. Vërejti se dy mbledhje nuk ka mundur të parashtrojë pyetje për MPB-në dhe Prokurorinë për incidentin në Shuto Orizarë dhe pyeti nëse paraqet problem ajo që është rom.

Mbledhja me pyetje të deputetëve do të vazhdojë pas pauzës së rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat