Për 5 vjet, 260 mijë shqiptarë marrin pasaportat e vendeve europiane

Maqedonia

Për 5 vjet, 260 mijë shqiptarë marrin pasaportat e vendeve europiane

Më: 7 mars 2019 Në ora: 11:02
Foto ilustrim

Teksa Shqipëria përpiqet prej dekadash të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, një pjesë e madhe e shqiptarëve ia kanë dalë përmes një rruge tjetër të bëhen qytetarë të BE-së.

Të dhënat zyrtare nga Instituti Evropian i Statistikave tregojnë se në vetëm 5 vjet, janë rreth 260 mijë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë nga një vend i Bashkimit Evropian.

Kjo shifër është e barabartë me popullsinë e Qarkut të Durrësit ose sa 10% e të gjithë popullsisë rezidente në Shqipëri. Të dhënat e detajuara të Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet në vend të dytë në botë, pas Marokut, për numrin më të lartë të personave që kanë përfituar nënshtetësinë e Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit.

Kjo tendencë u ruajt edhe në vitin 2017. Sipas Eurostat, vetëm gjatë 2017-s, numri i shqiptarëve që përfituan nënshtetësi nga një vend i BE-së ishte 58 mijë e 900, çka përbën 7.1% të të gjitha nënshtetësive të dhëna nga Bashkimi Evropian për këtë vit.

Por, në çfarë po shndërrohen qytetarët shqiptarë? Sipas Eurostat, pjesa dërrmuese, gati 92% e tyre, marrin nënshtetësinë greke dhe atë italiane. Gjatë vitit 2017, qeveria greke ka aprovuar nënshtetësinë për gati 30 mijë shqiptarë, ndërsa ajo italiane për 27 mijë të tjerë.

Tre dekada pas shembjes së regjimit komunist, Shqipëria vazhdon të jetë në kërkim të ëndrrës evropiane. Por, teksa keqqeverisja dhe krizat politike i kanë mbajtur mbyllur dyert e BE-së deri tani për Shqipërinë, shumë shqiptarë e kanë gjetur zgjidhjen tek emigrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat