Qeveria e Maqedonisë udhëzon publikun për emrin, injorohet gjuha shqipe

Maqedonia

Qeveria e Maqedonisë udhëzon publikun për emrin, injorohet gjuha shqipe

Më: 12 mars 2019 Në ora: 15:41
Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot i ka informuar të gjitha mediat me formën e saktë të përdorimit zyrtar dhe ndërkombëtar të emrit të ri të shtetit, në bazë të ndryshimeve kushtetuese të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 12 shkurti i këtij viti.

Udhëzimin për përdorimin e emrit të ri të shtetit, sipas Marrëveshjes së Prespës, Qeveria e ka publikuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo edhe në gjuhën shqipe, edhe pse në Maqedoninë e Veriut veprojnë numër i konsiderueshëm i mediave dhe të cilat në kushte kur nuk kanë version zyrtar për përdorimin e emrit të ri në gjuhën shqipe, do të jenë të detyruara ta përkthejnë nga anglishtja ose maqedonishtja, secili në formën e vet. Nga Qeveria na premtuan se të njëjtin dokument deri në fund të javës do ta përkthejnë dhe do ta publikojnë në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me përkthimin e të gjitha emrave të rinj të institucioneve shtetërore nga maqedonishtja në shqip, nga Qeveria thonë se ende janë në proces, pasi që grupet ndër-resoriale këtë po e bëjnë duke e sinkronizuar paralelisht me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Përdorimi i termit “maqedonas” temë debati mes gazetarëve dhe Qeverisë.

Tema e cila hapi debat më të madh në takimin jo-formal mes gazetarëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë ishte përdorimi i mbiemrit “maqedonas”, duke e pasur parasysh se me ndryshimet e reja, Institucionet nuk do të kenë të drejtë ta përdorin mbiemrin “maqedonas” në përdorim zyrtar. Kjo çështje nxiti replika dhe kundër-replika mes gazetarëve maqedonas dhe përfaqësuesve të Qeverisë. Në debat jo-formal, disa gazetarë maqedonas reaguan në drejtim të asaj se me ndalimin e përdorimit të mbiemrit “maqedonas”, institucionet e shtetit do të “zhvishen” nga etniteti maqedonas, pra më nuk do të ketë “institucione maqedonase” (pra që tregon dhe përkatësinë etnike), por do të ketë “institucione të Maqedonisë së Veriut” (që tregon përkatësinë shtetërore të të gjithë qytetarëve). 

Të gjitha institucionet dhe përfaqësuesit e institucioneve nuk do të kenë të drejtë ta përdorin mbiemrin “maqedonas”, kur i referohen ndonjë institucionit përkatës.

FORMAT E GABUARA: Qeveria maqedonase, Armata maqedonase, Presidenca maqedonase, Policia maqedonase, kryeministri maqedonas, Ministria maqedonasee Punëve të Jashtme, Filarmonia maqedonase, Sektori shëndetësor maqedonasdhe të ngjashme, Industria ushqimore maqedonase.

Përdorimi i mbiemrit “maqedonas” do të mund të përdoret, vetëm në kontekst të identitetit kulturor dhe etnik për popullin, gjuhën, historinë, kulturën, trashëgimin, territorin dhe karakteristikat tjera. Termet e këtilla në këtë kontekst janë të dallueshme nga ato që përdoren dhe lidhen me rajonin e Maqedonisë në Greqi.

FORMAT E SAKTA: Identiteti maqedonas, gjuha maqedonase, kultura maqedonase, territori maqedonas, populli maqedonas, historia maqedonase, malet maqedonase, literatura maqedonase, shkrimi cirilik maqedonas, ushqimi maqedonas, kishat maqedonase, ekonomia maqedonase, arti maqedonas, muzika maqedonase, bujqësia maqedonase, arkitektura maqedonase.

Në këtë kontekst, që nga shtatori i këtij viti nxënësit do të mësojnë me ndryshimet e reja të librave shkollore, gjegjësisht gjithkund ku ka gabime të këtij lloji do të korrigjohen. Fëmijët tani e tutje do të mësojnë se jetojnë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Përdorimi privat i këtij mbiemri është i lejuar, gjegjësisht nuk do të ketë “Polici gjuhësore”, që do të dënonte dikë nëse e përdor jashtë kontekstit zyrtar apo jashtë kontaktit me institucionet e shtetit.

Mbiemrin “maqedonas” nuk do të duhej ta përmbajnë në emrin e tyre as organizatat, shoqatat, por edhe grupet e tjera, apo individët që do të marrin fonde shtetërore, me qëllim që të njëjtin ta paraqesin përpara publikut më të gjerë që nuk ka të bëjë vetëm me përkatësinë maqedonase. P.sh.: Një organizatë joqeveritare e cila në emrin e saj e ka termin “maqedonas”, nuk mundet të fitojë para nga shteti që të organizojë një konferencë ndërkombëtare, nëse nuk e ndërron emrin. Për dallim nga kjo, e njëjta mund të fitojë para, nëse aktivitetin e saj e bën vetëm për publikun maqedonas, për shembull, të organizojë ndonjë konferencë me karakter etnik, siç mund të jetë rasti për gjuhën maqedonase ose për ndonjë aktivitet që ka të bëjë vetëm me maqedonasit dhe asnjë etnitet tjetër.

Partitë politike do të munden ta mbajnë emrin e tyre, por kur do të përfaqësohen jashtë vendit, do të theksohen se ata janë parti prej shtetit të Maqedonisë së Veriut. P.sh.: Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë nga Maqedonia e Veriut, Të Bashkuar për Maqedoninë nga Maqedonia e Veriut etj.

Nga Qeveria thanë se në raste kur do t’u referohemi ngjarjeve përpara se të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, atëherë do të përdoret emri i atëhershëm. P.sh. Presidenti Boris Trajkovski, ishte president i Republikës së Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në Republikën e Maqedonisë, e kështu me radhë.

Qeveria tha se nuk do të ndërrohet drejtshkrimi i gjuhës maqedonase.

Në lidhje me ndryshimin e emrave të Armatës dhe Akademisë së Shkencave, nga Qeveria thanë se janë në procedurë.

“Për Akademinë e Shkencave, ata kanë asamble dhe duhet që të vendosin, patjetër duhet që të ndërrohet emri “Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë”, por shkurtesa mund të mbetet e njëjtë për shkak se kjo shkurtesë është e përfshirë në shumë bibliografi dhe në shumë vende janë të cituar. Edhe ARM-së do të duhet t’i ndërrohet emri, nëpërmjet një ligji të veçantë”, thanë nga Qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat