Qeveria fton në takim opozitën shqiptare për çështjen e PSP-së, Lëvizja Besa thotë se kanë kërkesat e tyre

Maqedonia

Qeveria fton në takim opozitën shqiptare për çështjen e PSP-së, Lëvizja Besa thotë se kanë kërkesat e tyre

Më: 25 mars 2019 Në ora: 15:29
PSP

Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, sot në konferencë për shtyp njoftoi se Qeveria ka ftuar ata në takim për të diskutuar për çështjen e Prokurorisë Speciale. Ai tha se tek pushteti kanë përçuar mesazhin se ata kanë kërkesat e tyre nëse vendosin të mbështesin Ligjin për Prokurorinë Publike.

Zendeli tha se një nga propozimet e Lëvizjes Besa është që PSP të vazhdojë të punojë si institucion i pavarur dhe se “bombat” edhe në rastet tjera t’i përdorë si dëshmi.

“Vlerësojmë se raporti i Qeverisë ndaj nesh si aktor politik në vend nuk ka qenë korrekt. Me qëllim që të sigurojë 2/3 e votave flet me OBRM-PDUKM dhe BDI por jo me ne duke na anashkaluar. Tani që s’gjetën marrëveshja me OBRM-PDUKM-në na kthehen neve. E kemi thënë mendimin tonë se Prokuroria Speciale Publike nuk i plotësoi pritshmëritë që si opinion dhe parti politike i kemi pasur. Me rezultate të pakta dhe drejtësi selektive në raport me lëndët që ka ndjekur vlerësojmë se me këto ndryshime asgjë në thelb nuk do të ndryshohet”.

“Si mund të presim që tani me përfshirjen e PSP-së në Prokurorinë e Rregullt mund të ndryshojë ndonjë gjë. Çështja tani është më shumë politike. Ne do t’i themi vërejtjet tona. Për ne është shumë e rëndësishme që të marrim garanci se qëllimet që kishte PSP-ja në fillim të plotësohen. Do të propozojmë që Specialja të vazhdojë punën kështu si është me kapacitet të plotë, t’i jepen afate të reja dhe materialet e përgjuara të shfrytëzohen si dëshmi”, tha Zendeli.

Përveç Lëvizjes Besa, në takimin e radhës është ftuar edhe Aleanca për Shqiptarët. Ndërsa pritet që Qeveria takim të realizojë edhe me tetë deputetët e pavarur të OBRM-PDUKM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat