Nga korriku roaming më të lirë në rajon, në vitin 2021 do të hiqet tërësisht

Maqedonia

Nga korriku roaming më të lirë në rajon, në vitin 2021 do të hiqet tërësisht

Më: 6 prill 2019 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Çmimet e shërbimeve në roaming mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe BeH nga korriku i këtij vitit do të ulen për 27 për qind, ndërsa nga korriku i vitit 2021 do të hiqen tërësisht.

Marrëveshjen e nënshkruan ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe ministrat dikasterial nga Ballkani Perëndimor në suaza të Samitit të dytë digjital në Beograd.

“Sipas marrëveshjes, ulja e çmimeve do të fillojë këtë verë ndërsa plotësisht do të hiqet nga mesi i vitit 2021. Siç potencoi eurokomisarja Maria Gabriel, kjo marrëveshje ishte një parakusht për fillimin e procedurës për heqjen e roamingun ndaj BE-së. Pasi plotësisht të tërhiqet roamingu midis vendeve të Ballkanit Perëndimor kjo do të ndodhë edhe me vendet e BE-së, që do të thotë se rajoni do të integrohet në mënyrë digjitale në Evropë shumë më shpejt se sa politikisht”, ka thënë ministri Mançevski, njofton AIM.

Sipas eurokomisares për Ekonomi Digjitale dhe Shoqëri Marija Gabriel, nënshkrimi i marrëveshjes për roaming falas në Ballkanin Perëndimor është stimulim për bashkëpunim rajonal.

“Çmimet e roamingut do të ulen gradualisht dhe deri në vitin 2021 do të bëhen si të vendit. Nënshkrimi i Marrëveshjes e tregon vullnetin e fuqishëm politik në drejtim të digjitalizimit rajonal”, tha Gabriel.

Për Majlinda Bregun, sekretare e përgjithshme e Këshillit për bashkëpunim rajonal (SRS) pas marrëveshjes qëndrojnë gatishmëria dhe lidershipi i politikanëve nga rajoni me mbështetje të BE-së.

“Marrëveshja është qëllim drejt të cilës jemi orientuar të gjithë, ndërsa kjo është perspektiva evropiane”, tha Bregu.

Janë dakorduar që javën e ardhshme Trup i posaçëm rregullator të mbajë takim që t’i konfirmojë çmimet e zvogëluara nga korriku i këtij vitit, fillimisht në internet, ndërsa pastaj në bisedat dhe gradualisht t’i ulë çmimet deri në heqjen e plotë në vitin 2021.

Siç deklaroi ministri Mançevski, muajin e ardhshëm Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të nënshkruajnë Marrëveshje për njohjen e dokumentave elektronik dhe certifikatat digjitale.

Në Samit janë zhvilluar bisedime edhe për krijimin e qendrës rajonale të trajnimit për siguri kibernetike selia e të cilës duhet të jetë në Shkup, që do të finalizohet në samitin e ardhshëm në Tiranë.

Në samitin dyditorë morën pjesë 3.000 përfaqësues të industrisë IT dhe biznesmenë prej 30 ekonomive nga Ballkani Perëndimor dhe bota, mes të cilëve edhe shumë ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat