Deskoska: Për dy arsye Ivanovi nuk mund t’i fal të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit

Maqedonia

Deskoska: Për dy arsye Ivanovi nuk mund t’i fal të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit

Më: 9 prill 2019 Në ora: 10:51
Deskoska

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, ka thënë se në dikasterin që ajo e udhëheq nuk kanë arritur kërkesa për amnisti të të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit.

Deskoska konsideron se presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, për dy arsye nuk mund të udhëheq procedurën për falje të të dënuarve të cilët kanë dorëzuar kërkesë tek ai.

“E para: procedura mund të udhëhiqet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh se nuk ka bazë ligjore për falje pa procedurë të mëhershme në ministrinë tonë. Është fshirë neni 11 nga Ligji për falje, i cili parashihte procedurë të tillë nga ana e kryetarit të shtetit, ndërsa me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai nen nuk është i vlefshëm, gjegjësisht nuk ekziston në sistemin juridik të shtetit tonë”, thotë Deskoska.

Arsyeja e dytë sipas ministres së Drejtësisë, është fakti se janë shpallur zgjedhjet presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të falen personat e dënuar.

“Për shkak të këtyre arsyeve, pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, as Ministria e Drejtësisë nuk dërgon asnjë lëndë për falje në kabinetin e presidentit të shtetit. Pasi KSHZ zyrtarisht të njoftojë se zgjedhjet kanë përfunduar, më pas në kabinetin e presidentit mund të dërgohen kërkesa për falje. Deri në këtë moment në Ministrinë e Drejtësisë nuk ka arritur asnjë kërkesë për faljen e të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit. Ka kërkesa për lëndë tjera, por siç thash, duhet të presin përfundimin e procesit zgjedhor”, tha Deskoska.

Nëse në Ministrinë e Drejtësisë arrijnë kërkesat për falje nga të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit, sipas Deutsce Welle, Ivanov nuk do të pret që të arrijnë tek kabineti i tij, pasi i ngelet kohë e shkurtë. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 21 prill, rrethi i dytë është planifikuar për më 5 maj, ndërsa mandati i Ivanovit skadon më 12 maj.

Por, kujtojmë kur presidenti Gjorge Ivanov më 12 prill të vitit 2016 fali gjithsej 56 persona të dyshuar në lëndët e Prokurorisë Speciale, edhe pse ligjërisht nuk kishte mundësi për një veprim të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat