Fati i “Prokurorisë Speciale”, grupet e punës i rikthehen bisedimeve

Maqedonia

Fati i “Prokurorisë Speciale”, grupet e punës i rikthehen bisedimeve

Më: 11 prill 2019 Në ora: 16:48
PSP

Grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës për harmonizimin e propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike janë marrë vesh që t’i vazhdojnë takimet për t’u marrë vesh. Nuk ka detaje të reja nëse grupet pritet takohen së shpejti, apo takimet do të vazhdojnë fshehurazi. Kryeministri Zoran Zaev është optimist se palët do të gjejnë kompromis, duke shtuar se “bombat” si dëshmi në procedurë nuk pamundësojnë procedimin e akuzave të ngritura.

Janë marr vesh që të vazhdojnë bisedimet me qëllim që të gjinden aspektet juridike mbi dallimet që kanë dyja palët. Jemi të bindur se mund të ketë zgjidhje ligjore nëse para se gjithash mendohet për të mirën e shtetit, sistemi i PSP-së, kapacitetet e saj dhe obligimet para qytetarëve dhe rëndësia e PSP-së për reformat në gjyqësor dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thekson se nuk frikohet nga asnjë lëndë e mundshme e PSP-së, duke shtuar se subjekti i tij mbështet punën e Speciales. Lidhur me aferën Maxhar Telekom, Ahmeti u deklarua i pafajshëm.

Fare nuk ndjehem fajtor dhe nuk kam arsye të ndjej frikë për diçka të tillë. Ne e kemi mbështet PSP-në, i kemi dhënë përkrahje të plotë dhe do t’i japim edhe në të ardhmen – u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Burime diplomatike këmbëngulin se fati i Speciales nuk është kusht për datën e bisedimeve me BE-në, duke shtuar se për ta ka rëndësi konstatimi i shkeljeve që burojnë nga përgjimet dhe veprat që dalin nga to. Kori diplomatik insiston në ekzistimin e PSP-së si organ i vetëm e cila shtron akuza mbi bazën e përgjimeve. Pritjet e tyre janë që partitë të merren vesh, duke mos imponuar modelin e pushtetit apo të opozitës, dallimi i të cilëve është mes përfshirjes së PSP-së në kuadër të krimit të organizuar apo si departament në vete. E para e PSP-së, Katica Janeva gjatë ditës zhvilloi takim me ambasadorin e Suedisë, Mats Stafanson i cili adresoi porosi të qartë. Stafanson ka potencuar se për anëtarësimin e vendit në BE-së, Specialja me doemos duhet të vazhdojë me punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat