Në Shkup u shënua Dita e Drejtorisë së Doganave

Maqedonia

Në Shkup u shënua Dita e Drejtorisë së Doganave

Më: 11 prill 2019 Në ora: 20:38
Gjoko Tanasoski

Drejtoria e Doganave vitin e kaluar ka arkëtuar gjithsej 1,43 miliardë euro që është për 160 milionë euro më shumë, respektivisht 11 për qind më shumë në krahasim me vitin 2017, tha sot drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut në manifestimin me rastin e 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, promovoi konceptin e ri “Dogana digjitale”, ndërsa gjithashtu ka prezantuar raportin vjetor për punën e Drejtorisë së Doganave në vitin 2018.

Në ceremoninë e inaugurimit me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryeministri Zaev tha se Drejtoria e Doganave dhe të punësuarit në dogana paraqesin kontaktin e parë me vendin tonë dhe ata janë fytyra e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Si rezultat i punës së ndershme dhe me përkushtim, Drejtoria e Doganave u tregua si pjesëmarrës serioz dhe prej më të rëndësishmëve në mbushjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit tonë. Këto fakte në vete flasin se sa është i rëndësishëm roli i Drejtorisë së Doganave në krijimin e ambientit ekonomik të shtetit”, theksoi Zaev.

Zv/ministrja e Financave, Shirete Elezi, në fjalimin e saj tha se Ministria e Financave dhe Drejtoria e doganave bashkarisht do të vazhdojnë t’i zbatojnë reformat në këtë sektor.

“Vetëm së bashku mund t’u përgjigjemi sfidave të reja që na presin. Digjitalizimi modern i Drejtorisë së Doganave do të përmirësojë tregtinë dhe transportin dhe me këtë edhe ekonominë tonë në përgjithësi”, theksoi Elezi, duke shtuar se obligimi i tyre është që të sigurojnë sistem të sigurt, të drejtë dhe të qëndrueshëm, ndërsa këu rolin qendror e ka Drejtoria e Doganave.

Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, në manifestimin e sotëm prezantoi raportin vjetor për punën e Drejtorisë së Doganave për vitin 2018.

“Nëse vitin e kaluar paralajmëruam digjitalizimin, këtë vit na pret realizimi i digjitalizimit në përputhje me vizionin tonë që të bëhemi drejtoria udhëheqëse në rajon sipas standardeve më të larta evropiane, e njëkohësisht të mbesim besnik mbrojtjes së interesave financiare të shoqërisë sonë”, tha Tanasoski, duke theksuar se Drejtoria e Doganave vitin e kaluar ka arkëtuar gjithsej 1,43 miliardë euro që është për 160 milionë euro më shumë, respektivisht 11 për qind më shumë në krahasim me vitin 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat