Shkup: Polemika rreth zbatimit të reformave në gjyqësor

Maqedonia

Shkup: Polemika rreth zbatimit të reformave në gjyqësor

Më: 17 prill 2019 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë Speciale, formën e vazhdimit të mandatit të këtij institucioni, por edhe përdorimin ose jo të bisedave të përgjuara telefonike të ish zyrtarëve si prova në proceset gjyqësore ndaj tyre.

Kjo ka thelluar polemikat lidhur me sundimin e së drejtës dhe gjendjen e gjyqësorit në përgjithësi. Fushata e partive për zgjedhjet presidenciale është përqendruar edhe në këtë sferë, që konsiderohet si shumë e rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Opozita maqedonase, propozim-ligjin për Prokurorinë Speciale, e konsideron si mjet të partive në pushtet, për siç thotë “ndjekjen politike të kundërshtarëve politikë”, që sipas VMRO DPME-së, flet qartë se në vend nuk kemi gjyqësor të pavarur.

“Sundimi i së drejtës aspak nuk ekziston në Maqedoni. Të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për sistem autoritar, me elemente të sistemit totalitar, për shkeljen e të drejtave të njeriut, për drejtësi selektive, për revanshizëm, për çka flet edhe raporti i Avokatit të Popullit. Thonë se po bëjnë reforma në gjyqësor, por si mund të bëhen këto reforma kur në krye të Këshillit për reforma në gjyqësor qëndron kryeministri?"

"A nuk është kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit? Në krye të këtij Këshilli duhet të qëndrojnë njerëz me autoritet, juristë të dëshmuar, prokurorë e gjykatës të dëshmuar, por jo edhe kreu i qeverisë”, ka deklaruar Gordana Siljanovska, kandidate për presidente e VMRO-së, e cila njëherësh është edhe profesore e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Shkupit.

Reformat në drejtësi kanë nisur një kohë të gjatë, por asnjëherë nuk kanë përfunduar për shkak të krizave të shumta nëpër të cilat ka kaluar vendi ndërsa dobësitë dhe politizimi i skajshëm i tij janë zbuluar nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve që ka nxjerr në sipërfaqe lidhjes dhe ndikimet e shumta të pushtetit ekzekutiv ndaj atij gjyqësor.

Kryeministri Zoran Zaev, thotë se opozita e tanishme me bllokimit e ligjit për Prokurorinë Speciale sërish synon të bllokojë të ardhmen e vendit

“Do të bëjë gjithçka dhe mund të konfirmojë se dialogu vazhdon dhe unë vlerësoj se duhet të bëjmë gjithçka që me konsensus të votojmë ndryshimet për ligjin për Prokurorinë Speciale pasi është pjesë e reformës serioze dhe duhet miratuar bashkërisht për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut".

"Por, këtu shtrohet edhe pyetja nëse VMRO DPMNE-ja do të vazhdoj sërish të bllokojë vendin në rrugën drejt perspektivës dhe integrimit euroatlantik me qëllimin e vetëm, të mbrojë kriminelët nga ndjekja penale për veprat e bëra, apo nëse do të jenë konstruktiv dhe do të heq dorë nga e kaluara, nga veprimet destruktive që i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, njeherësh kryetar i LSDM-së.

Për vazhdimin e punës së kësaj prokurorie është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, që gjithashtu angazhohet për reforma në gjyqësor, si kush i domosdoshëm për marrjen e datës për bisedimet me Bashkimin Evropian.

Nga opozita shqiptare, thonë se gjyqësori në vend është në gjendje të vështirë dhe se në këto dy vite të qeverisë së re shumë pak është bërë në ngritjen e shtetit ligjor. Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, dy parti këto opozitare i kanë dhënë mbështetje Prokurorisë Speciale, por insistojnë që përgjimet të mbeten si prova në proceset gjyqësore.

“Ne përkrahim funksionimin e mëtejshëm të Prokurorisë Speciale me gjithë kapacitetin e plotë të saj. Këtu dua të theksoj edhe fatin e shfrytëzimit të përgjimeve edhe më tej në ngritjen e procedurave dhe përcjelljen e procedurave që kanë të bëjnë me përgjimet dhe me atë pse u formua Prokuroria Speciale”, ka deklaruar kryetari i lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Reformat në gjyqësor, ne veçanti, Ligji për Prokurorinë Speciale duhet të miratohet para qershorit apo publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat