“Bombat”, nuk u dëgjuan as në seancën e sotme për rastin “Monstra”

Maqedonia

“Bombat”, nuk u dëgjuan as në seancën e sotme për rastin “Monstra”

Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:06
Rasti “Monstra”

Sot duhej të dëgjoheshin pesë dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Monstra”, por seanca u anulua. Nga Këshilli gjyqësorë thanë se kjo ndodhi për shkak të mungesës së gjykatësit Ognen Stavrev, i cili prej disa ditësh gjendet në udhëtim zyrtarë jashtë shtetit.

Avokati Naser Raufi tha se nuk ishin në rend dëshmitarët e tyre, duke hedhur dyshimin se Prokuroria Speciale po taktizon pasi, sipas tij, tani pritej të dëgjoheshin të ashtuquajturat “Bomba”.

"Nuk e di se cila është arsyeja, por është e qartë se punohet për ndonjë taktizim nga ana e Prokurorisë Speciale, pasi ishin të paralajmëruar që me fundin e propozimeve nga ana e Prokurorisë në fund do të jenë edhe “bombat”. Kjo nuk ndodhi, ato u anuluan. Nuk është sipas Ligjit për Procedurë Penale që mandej t’i japin prokuroria. Por, tani kur i dhanë propozimet tjera duhej edhe këto të ashtuquajtura “bomba” – tha Naser Raufi, avokat.

Nga Prokuroria Speciale thanë se kanë respektuar procedurat ligjore, meqë bisedat e përgjuara janë dëshmi të reja në këtë lëndë. Nga organi i akuzës thonë se ato do t’i paraqesin në fund të procesit gjyqësor, përkatësisht para dhënies së fjalëve përfundimtare. Të njohura, si “bombat” e opozitës së atëhershme të LSDM-së, avokatët e të dyja palëve presin që të nxjerrin në pah fakte të reja, që sipas tyre, do të zbardhin të vërtetën e “Monstrës”. Në seancën e ardhshme të caktuar për më 6 maj, nga pala mbrojtëse thonë se mes tjerësh, do të dëgjohen edhe dëshmitarët për të akuzuarin Sami Luta.

"Sipas Gjykimit të Supremes, ne jemi të obliguar që të gjithë dëshmitarët nga procesi i mëparshëm të vijnë sërish të dëshmojnë në Gjykatë. Dhe mandej, kur do të jetë radha e Prokurorisë për dëshmi të reja edhe ne si palë mbrojtëse do të kemi radhën që të propozojmë dëshmitarë të ri, që do ta bëjmë. Posedojmë edhe dëshmi të reja nga ana jonë dhe ato do të jenë të propozuara nga mbrojtja" – u shpreh Naser Raufi, avokat.

Ndërkaq, brenda sallës së gjyqit, i akuzuari Agim Ismailoviq tha se për arsye financiare nuk mund të përfaqësohet më nga avokatët e mëparshëm, andaj kërkoi të mbrohet nga një avokat sipas detyrës zyrtare, me ç’rast gjykatësi Osman Shabani do të autorizoj një avokat të paguar nga Gjykata Penale.

Për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fjezi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i anuloi aktvendimet, duke i liruar nga burgu të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, dhe u caktoi masa të kujdesit. Ndërsa, Afrim Islamjloviq dhe Alil Demiri, vazhdojnë të ndiqen penalisht në arrati. Pas heqjes së aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP dhe lënda u kthye në rigjykim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat