Publikohen përgjime të reja në Maqedoni, organet nisin hetimet

Maqedonia

Publikohen përgjime të reja në Maqedoni, organet nisin hetimet

Më: 19 prill 2019 Në ora: 17:26
Publikohen përgjime të reja në Maqedoni

Gjatë ditës së djeshme në internet janë publikuar disa përgjime telefonike në Maqedoninë e Veriut, në të cilat janë dëgjuar biseda edhe në mes ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska dhe ministrit aktual, Oliver Spasovski.

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur hetim për publikimin e këtyre bisedave në rrjetet sociale. Nga MPB nuk kanë dhënë detaje, duke thënë se hetimet nuk do të zhvillohet publikisht.

Ndërsa kryeministri i vendit Zoran Zaev, tha se përgjimet që janë publikuar dje, kanë qenë pjesë e materialeve që ai i ka poseduar. Zaev u shpreh i bindur se institucionet do të marrin masat e nevojshme.

“Unë nuk i kam dëgjuar të gjitha bisedat, ju them sinqerisht sepse më ka mbetur merak t’i dëgjoj gjitha. Nga këto që dëgjova, po janë pjesë e paketit që i kemi dorëzuar në PSP. Kjo vërteton se ne kemi poseduar vetëm një pjesë të materialeve të përgjuara”, tha Zaev.

Për këto përgjime është deklaruar edhe udhëheqësi i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski. Ai tha se dyshon që përgjimet janë publikuar nga kryeministri Zoran Zaev.

“Në këtë shtet kishte një kureshtar i cili vështronte nga afër jetën private duke i dëgjuar këto materiale në vitin 2014-2015. Ai ka emër dhe mbiemër dhe sot është kryeministër. Në vitin 2015 bënte spektakël dhe ngjallte shpresë tek qytetarët”, tha Hristijan Mickoski.

Ndërsa nga Prokuroria Speciale thonë se nga sistemi i tyre nuk ka buruar asnjë përgjim i publikuar ditëve të fundit.

“Përgjimet e publikuara një ditë më parë do të analizohen, ndërsa më pas do të veprohet sipas ligjit. Përjashtojmë çdo pretendim se të njëjtat kanë mundur të dalin nga Prokuroria Speciale. Një gjë e tillë nuk e mundëson sistemi për mbrojtjen dhe ruajtjen e përgjimeve, i cili posedon siguri të lartë”, thonë nga PSP, duke apeluar tek qytetarët që posedojnë përgjime t’i dorëzojnë në Prokurori.

Ndryshe, në përgjimet e publikuara dje dëgjohet edhe biseda e ish-kryetarit të LSDM-së Branko Crvenkovski, ish-drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov dhe ish-ministrit të Brendshëm, Ljubomir Frçkovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat