Ngritet niveli i vaksinimit pas përhapjes së fruthit në Maqedoninë e Veriut - Bota Sot
Ngritet niveli i vaksinimit pas përhapjes së fruthit në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ngritet niveli i vaksinimit pas përhapjes së fruthit në Maqedoninë e Veriut

Më: 20 prill 2019 Në ora: 15:06
Maqedonia Veriore

Vaksinim i detyrueshëm, kontrolle të vazhdueshme në teren, veçanërisht në shkollat fillore dhe kopshte për fëmijë, ndalim i të gjitha vizitave në kopshtet e fëmijëve si dhe spitale, si dhe krijimi i mundësisë për vaksinim edhe mbi moshën 14 vjeç në qendrat e shëndetit publik, janë një pjesë e masave që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, pasi Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, të martën shpalli epidemi të fruthit në gjithë territorin e vendit për të parandaluar shtrirjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse.

Nga fillimi i këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar katër viktima nga fruthi, kurse mbi 1 mijë raste janë regjistruar të infeksionit nga fruthi, 60 për qind prej të cilëve janë jashtë Shkupit.

Sipas të dhënave zyrtare, fruthi si sëmundje ngjitëse më së shumti ka prekur fëmijët.

“Më duhet të theksoj se fruthi është sëmundje serioze që mund të lë pasoja afatgjate në shëndetin e njeriut, mbase edhe mund të ketë epilog fata. Këto masat e ndërmarra janë ndërmarrë që të parandalohet shtrirja e më tejshme e sëmundjes, andaj ftoj që të gjitha organet kompetente me përpikmëri t'i respektojnë”, thotë Vladimir Mikiq, mjek-epidemiolog.

Pas shfaqjes së fruthit në një numër të lartë në opinion është nxitur një debat i ashpër se pse një numër kaq i madh i fëmijëve në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur të pavaksinuar.

Prindërit thonë se nuk janë kundër vaksinimit por duan të dinë saktë cilësinë e vaksinave duke larguar çdo dilemë të shfaqur rreth kualitetit të vaksinave.

Pas shfaqjes së aferës rreth kualitetit të vaksinave, një grup i prindërve ndërmorrën iniciativë për ndryshimin e ligjit që parasheh vaksinim të obligueshëm të të gjithë fëmijëve para se ata të përfshihen në sistemin arsimor.

“Nuk jemi kundër vaksinave, por dëshirojmë që prindërit të jenë të sigurtë rreth çdo dileme që është shfaqur me kualitetin e vaksinave dhe jo ata t'i vaksinojnë fëmijët nën presionin e ligjit”, kishte theksuar Elene Pavleska, pjesë e iniciativës së prindërve që propozuan ndryshimin e Ligjit që rregullon çështjen e vaksinimit të fëmijëve.

Ndërkaq, Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve, sqaron për Radion Evropa e lirë se cilësia e vaksinave është në rregull dhe i gjithë problemi ka lindur si rrjedhojë e paqartësive të shprehura në opinion rreth efekteve të vaksinave.

“Për fat të mirë ne tani kemi vaksina shumë kualitative dhe deklaratat se nga vaksinimi, paraqiten ndryshime qoftë gjenetike apo mutacione, si dhe shkaktojnë sëmundje, kjo aspak nuk qëndron dhe rekomandimi im si mjek është që çdo dyshim apo dilemë që kanë prindërit duhet ta diskutojnë dhe të konsultohen me persona kompetentë”, thotë Besimi.

Nga e premtja ka filluar vaksinimi i nxënësve të cilët si kanë pranuar vaksinat, në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme.

Ministri i Arsimit në Maqedoni, Arbër Ademi, për mediat ka theksuar se arsimi fillorë është i detyrueshëm në bazë të ligjeve ekzistuese por gjithashtu edhe me vlerat Kushtetuese nuk guxon të cenohet dhe dëmtohet shëndeti publik

“Edhe në ligjin ekzistues për arsimin fillor, por edhe në draft-ligjin të cilin jemi duke e punuar ekziston detyrimi për prindërit që me rastin e regjistrimit të fëmijëve në shkollat fillore t'u ofrojnë prova, dëshmi se e kanë kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre”, ka Ademi.

Ndonëse edhe kundrejt aksioneve të dikasterit të shëndetësisë vlerësohet se numri i fëmijëve të pavaksinuar mbetet i lartë, gjë që kërcënon imunitetin e përgjithshëm të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, ngase vetëm 82,83 për qind e fëmijëve kishin pranuar vaksinat. Sipas dikasterit të shëndetësisë, pas dhënies së alarmit tani në Shkup dhe jashtë Shkupit janë vaksinuar 45 për qind nga përqindja e përgjithshme e fëmijëve të pavaksinuar./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...