Shtabi zgjedhor i Rekës: Brengos jehona e ulët

Maqedonia

Shtabi zgjedhor i Rekës: Brengos jehona e ulët

Më: 21 prill 2019 Në ora: 20:49
Foto

Nga shtabi zgjedhor i kandidatit presidencial, Blerim Reka vlerësuan se zgjedhjet e sotme kanë kaluar në atmosferë korrekte dhe demokratike.

“Përshtypja jonë prej këtyre zgjedhjeve është se kaluan në atmosferë shumë korrekte dhe demokratike me numër shumë të vogël të parregullsive”, tha Ramadan Rexhepi, zëdhënës i shtabit zgjedhor të Rekës.

Sipas tij, brengos fakti që është e vogël përqindja e daljes në këto zgjedhje dhe kjo sipas tyre e konfirmon tezën e tyre se 1/4 e popullatës është shpërngulur nga Republika.

I pyetur nëse do të bëjnë thirrje që votuesit e tyre ta mbështesin ndonjërin prej kandidatëve të tjerë nëse kandidati i tyre nuk plasohet në raundin e dytë, Rexhepi tha se do t’i lënë të votojnë për kë duan.

“Votimi është e drejtë demokratike dhe çdo njeri është pronar i votës së tij. Ne nuk do t’u bëjmë thirrje votuesve që ne na mbështetën të votojnë për cilindo prej dy kandidatëve të tjerë”, theksoi Rexhepi.

Aktualisht sipas rezultateve preliminare, kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski prinë me 41.77 për qind të votave para kandidatit të VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova me 38.69%. Kandidati shqiptar Blerim Reka ka 15.65 për qind.

Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, por deri me sot kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, kështu që balotazhi për ata që do të rezultojnë dy garuesit kryesore, është caktuar të mbahet në 5 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat