Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova në balotazh, vendosin votat e Rekës

Maqedonia

Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova në balotazh, vendosin votat e Rekës

Më: 22 prill 2019 Në ora: 10:39
Stevo Pendarovski

Në Maqedoninë e Veriut u mbajt dje raudi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në balotazh u kualifikuan dy kandidatët maqedonas. Reka zuri vendin e tretë.

Në bazë të rezultateve preliminare të KSHZ, kandidati Blerim Reka ka marrë 79.915 vota apo 10,57 %, Gordana Siljanovska-Davkova ka fituar 319.240 vota (42,24 %) dhe kandidati Stevo Pendarovski ka marrë 323.846 vota, apo 42,85%. Fletëvotime të pavlefshme kanë dalë 32.828 fletëvotime. Ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë gjithësejt 755.816 persona me të drejtë vote (41,82%).

Në raundin e dytë në balotazh, me 5 maj për postin e kandidatit të presidentit të Maqedonisë së Veriut do të garojnë kandidati i koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski dhe kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska Davkova.

Pendarovski: Koncepti për Maqedoninë evropiane do të fitojë me 5 maj

Kandidati për president i përkrahur nga blloku qeveritar Stevo Pendarovski ka thënë se është i kënaqur me procesin zgjedhor. Pendarovski falënderoi të gjithë nacionalitetet në vend, duke theksuar se koncepti "bashkë përpara” duhet të vazhdojë dhe të triumfojë në rrethin e dytë. Ai mes tjerash tha se vendi 10 vitet e fundit fatkeqësisht nuk ka pasur një president të duhur dhe se po pret me padurim të marrë postin e presidentit për ta integruar sa më parë vendin në strukturat euroatlantike.

Image
Stevo Pendarovski dhe Zoran Zaev

"Shumica e qytetarëve nga të gjitha etnitë u deklarua se dëshiron të ecë përpara, drejt një shteti të suksesshëm për të gjithë ne. Koncepti "së bashku përpara” do ta rumbullaksojë fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj. Votimi më 21 prill kaloi në frymën demokratike dhe pres që e njëjta të ndodhë dhe në rethin e dytë dhe t'i përfundojmë këto zgjedhje, sepse” Së bashku përpara” nuk është vetëm koncept, por dhe aksion i plotë. Mezi pres që të filloj me punë drejt rrugës euro-atlantike dhe Maqedonisë së zhvilluar ekonomike për të gjithë. Zgjedhja në raundin e dytë do të jetë më e lehtë”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Siljanovska: Beteja sapo ka filluar

Image
Gordana Siljaniovska-Davkova

Kandidatja për president nga radhët e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljaniovska-Davkova ka falënderuar VMRO-në dhe koalicionin për mbështetjen dhe besimin. Siljanovska-Davkova tha se beteja sapo ka filluar, ajo theksoi se nëse mblidhen edhe votat e kandidatit shqiptar Blerim Reka do të shihet se kundërkandidati Stevo Pendarovski, i cili është përkrahur nga qeveria, ka pësuar humbje të thellë.

"E di që beteja tek tani fillon, por mendoj se nëse ne fituam një numër të madh të votave, dhe nëse në këto i bashkangjesim votat e Blerim Rekës si kandidat i pavarur i mbeshtetur nga dy partitë opozitare shqiptare, gjendja është e qartë. Se ne të dy bashkërisht flisnim për sundimin e së drejtës për t'i dhënë fund korrupsionit dhe krrimit. Rrëfimi ynë është demokratik, europian dhe ne vetëm në këtë mënyrë mund të marrim datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, është shprehur Gordana Siljanovska-Davkova.

Reka: Jam i kënaqur me rezultatin e arritur

Image
Blerim Reka

Kandidati për president Blerim Reka ka thënë se është i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet presidenciale, duke shtuar se kjo ka tejkaluar pritshmëritë e tij. Ai tha votat e fituara paralajmërojnë një pranverë politike në të ardhmen, pasi që sipas tij, zgjedhjet parlamentare që do të mbahen shumë shpejtë.

"Ne jemi të kënaqur. Kjo i ka tejkaluar pritshmëritë tona. Kemi rezultat të shkëlqyeshëm dhe në të gjitha komunat me shumicë shqiptare jemi përpara, ndërskohë që kemi marrë vota edhe në të gjitha komunat maqedonase. Kjo është për t'u shënuar, sepse siç e kemi thënë, koncepti ynë "Republikë për të gjithë” ,është koncept universal për të cilin do të votojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”.

Reka mendon se do të jetë shumë vështirë që në raundin e dytë të arrihet cenzusi i 40% të daljes në votim. Procesi zgjedhor nga të tre kandidatët për president, si dhe nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare që i kanë vëzhguar zgjedhjet, është vlerësuar si korrekt, i lirë dhe demokratik. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet me 5 maj./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat