Ambienti i pastër, kusht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Maqedonia

Ambienti i pastër, kusht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Më: 28 prill 2019 Në ora: 15:20
Një person ka vendosur një maskë në fytyrë për t'u mbrojtur nga ndotja e lartë e ajrit në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidës më të vështirë, sa i përket përmbushjes së standardeve që kanë të bëjnë me kujdesin e ambientit jetësor. Sfidë po konsiderohet edhe aspekti financiar, por edhe kuadri profesional për këtë fushë.

Nga organizata “Eco Guerilla” për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se bashkë me shumë organizata tjera që veprojnë në fushën e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, kanë dhënë vërejtjet e tyre para misionit të Bashkimit Evropian në Shkup dhe kanë treguar me problemet mjedisore që përballet vendi.

Këto vërejtje priten të përfshihen në Raportin e Progresit, që pritet të publikohet gjatë muajit maj.

Si problem kryesor, organizatat për mbrojtjen e mjedisit, kanë theksuar dështimin për të zbatuar politikat mjedisore, ligjet dhe aktet ligjore, që mbrojnë mjedisin jetësor.

Ambientalistët theksojnë se mjetet që ka ndarë shteti i Maqedonisë së Veriut, nuk mjaftojnë për të prodhuar efekte të dukshme, sa i përket ruajtjes së ambientit jetësor.

Ambientalistja, Aleksandra Bujarovska, për Radion Evropa e Lirë thotë se fatkeqësisht autoritetet e vendit, nuk janë, siç shprehet ajo, të vetëdijshme për vështirësitë me të cilat do të përballet Maqedonia e Veriut në përmbushjen e standardeve evropiane, si kusht për anëtarësimin e vendit në BE.

“Strukturat te ne në shtet nuk janë as të vetëdijshme për vështirësitë me të cilat do të përballet vendi gjatë implementimit të standardeve evropiane sa ipërket përkujdesjes së ambientit jetësor në të gjitha sferat. Jo rastësisht ky kapitull lihet për në fund sepse është më i vështiri, por kjo nuk do të thotë se duhet trajtuar edhe nga organet shtetërore në fund”.

“Për të pas sukses të paktën minimal, duhet filluar menjëherë me zbatimin e praktikave evropiane dhe ndarjen e mjeteve, që praktikat evropiane të arrijnë të zbatohen, dhe jo siç është aktualisht dikasteri ekologjisë, që ka më së paku mjete”, thotë Bujarovska.

Ndërkaq, nga dikasteri i ambientit jetësor, thonë se Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë shumë masa për të parandaluar ndotjen e ambientit.

Megjithatë, zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se është i vetëdijshëm se shtetit mund t’i mbyllet dera e anëtarësimit në familjen evropiane, për shkak të mospërmbushjes së standardeve për ruajtjen e ambientit jetësor.

“Plotësimi i kërkesave nga Kapitulli 27 në kuptimin monetar, relativisht paraqet një sfidë të madhe. Më lejoni të jap një shembull, në jurisprudencë, si do ta zgjedhim kryetarin e Gjykatës Supreme: me dy të tretat, apo me shumicë të thjeshtë – është thjesht një vendim administrativ, që nuk kushton asgjë në aspektin financiar, por varet se sa njerëz në Këshillin Gjyqësor do të ngrenë dorën”.

“Por, që të plotësojmë standardet ekologjike, përkatësisht për t’i penguar emetimet e dëmshme në ajër kërkohen qindra milionë euro. Prandaj, them shikuar në mënyrë egoiste, ky do të jetë një institucion që do të ketë shumë rëndësi, për shkak se cilido vend evropian, nëse do që ta pengojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, mund t’i shfrytëzojë pjesët nga mjedisi jetësor”, thotë Makraduli.

Ndërkaq, Arianit Xhaferi nga “Eko Guerila”, për Radion Evropa e Lirë thotë se më problematike mbetet përmbushja e standardeve në industrinë e rëndë, për çka problemet janë më se evidente.

“Menaxhimi i mbetjeve komunale përbën një tjetër sfidë, ku vendi jonë nuk ka bërë mjaftueshëm hapa përpara, prandaj dhe këtu presim të kemi vërejtje serioze. Cilësia e ajrit ambiental mbetet po ashtu një sfide tejet serioze, kur kemi parasysh se prodhimi i energjisë elektrike në vend bëhet akoma në masë më të madhe në termocentrale dhe këtu ‘Rek Bitola’ është ndotësi i dytë më i madh i ajrit në Evropë”.

“Mungesa e vullnetit për të hartuar dhe kaluar ligje që do i mundësonin inspektorëve mjedisorë qasje më të lirë dhe më të shpeshtë te subjektet ndotëse, por edhe transparenca në këtë proces, po ashtu ngelet një pikë e zezë, që besojmë se do të përfshihet në Raportin e Progresit”, thotë Xhaferi, duke theksuar se Qeveria kishte organizuar një konferencë donatorësh për luftën kundër ndotjes së ajrit.

Madje sipas tij, Qeveria po kërkon edhe mendimet e sektorit civil, për të gjetur mënyra se si të luftohet ndotja e ajrit. Kjo, sipas Xhaferit, dëshmon se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk ka as plan, por edhe as mjete për ta zgjidhur problemin e ndotjes në fushën e mjedisit. Sipas ambientalistëve, problem më vete mbetet edhe ruajtja e zonave të mbrojtura./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat