Ahmeti e Mickoski “optimistë” për censusin në rrethin e dytë - video

Maqedonia

Ahmeti e Mickoski “optimistë” për censusin në rrethin e dytë - video

Më: 28 prill 2019 Në ora: 20:59
Ahmeti e Mickoski

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitar Hristjan Mickoski besojnë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve do të arrihet censusi prej 40%.

Ahmeti tha se fushata e partisë së tij për mbështetje të kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovskit nuk është e zbehtë dhe se partia e tij do të angazhohet që të mobilizojë gjithë anëtarët e saj për të një fushatë dhe rezultat të suksesshëm nga zgjedhjet.

“Besoj shumë që suksesi do të jetë i plotë. Në 5 maj vendoset a do të jemi të suksesshëm dhe a do të japim porosi te komuniteti ndërkombëtarë që ne jemi një shtet serioz, mirë i organizuar, sepse në rrethin e dytë nuk votohet thjesht kandidati, por votohet filozofia e përshpejtimit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe në BE. Assesi nuk është zbehtë, organet e partisë, të gjitha kanë mbajtur takime dhe kanë dhënë direktivat për mobilizim për 5 maj”, tha Ahmeti.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, beson se në rrethin e dytë do të arrihet censusi dhe qytetarët do të zgjedhin president.

I pyetur nëse do të mbajë përgjegjësi nëse Gordana Siljanovska Davkova nuk do të fitojë zgjedhjet, Mickovski tha se pas zgjedhjeve do të bëhen analiza të rezultateve edhe pse sipas tij, rrethi i parë dëshmojë se VMRO-DPMNE është parti e konsoliduar.

“Mendoj se nuk ka opsion tjetër për qytetarët e Maqedonisë përveç opsionit se zonja Gordana Siljanovska Davkova është presidente e ardhshme e Maqedonisë”, tha Mickovski.

Ndërkaq, ditë më parë kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se javën e ardhshme në kuvendin e partisë do të vendoset se si do të veprojnë më 5 maj.

Megjithatë, Sela tha se është e drejtë e qytetarëve që të vendosin se si ata dëshirojnë dhe mohoi mundësinë për pazare politike në lidhje me mbështetjen e dy kandidatëve të mbetur për president.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat