Prokuroria dorëzon aktin prokuror për vrasjen e trefishtë në Dibër

Maqedonia

Prokuroria dorëzon aktin prokuror për vrasjen e trefishtë në Dibër

Më: 30 prill 2019 Në ora: 11:26
Vrasja e trefishtë në Dibër

Prokuroria Themelore e Gostivarit ka dorëzuar aktin prokuror kundër tre personave të cilët dyshohen se janë të përfshirë në vrasjen e tre anëtarëve të një familje në Dibër.

Siç njoftojnë nga Prokuroria, janë siguruar dëshmi se e akuzuara e parë ka kryer veprën “vrasje”, ndërsa dy të akuzuarit tjerë kanë kryer veprën “ndihmë gjatë kryerjes së vrasjes”.

“Më 26.08.2018 në shtëpinë familjare në Dibër, e akuzuara duke gjuajtur me pistoletë të kalibrit 7.65 mm, së pari ka vrarë nënën dhe babain e saj, ndërsa më pas edhe motrën minorene. Dy të akuzuarit tjerë me paramendim e kanë ndihmuar në kryerjen e këtyre vrasjeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata shtojnë se një ditë para kryerjes së vrasjeve, e akuzuara e parë ka kontaktuar me të akuzuarin e dytë dhe është takuar me të në Gostivar. I akuzuari i dytë ka blerë makinë dhe së bashku kanë udhëtuar në Dibër, për të blerë armë. Të njëjtën ditë, në afërsi të spitalit të qytetit në Dibër, janë takuar me të akuzuarin e tretë, i cili ju ka siguruar armë me pesë plumba.

Pas kryerjes së veprës penale, e akuzuara ka shkuar në Strugë, ku është takuar me të akuzuarin e dytë dhe i ka dhënë çelësat e makinës, që të njëjtën ta kthejë në Gostivar. E akuzuara e parë më pas me taksi ka shkuar në Aeroportin e Shkupit, prej ku edhe më pas ka udhëtuar për në Itali.

Duke vlerësuar se edhe më tej janë përmbushur kushtet ligjore, Prokurori Publik kompetent tek Gjykata Themelore e Gostivarit ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për personat e akuzuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat