Pragu zgjedhor hap debatin mbi formën e zgjedhjes së presidentit në Maqedoni

Maqedonia

Pragu zgjedhor hap debatin mbi formën e zgjedhjes së presidentit në Maqedoni

Më: 30 prill 2019 Në ora: 14:21
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Dalja e ulët e votuesve në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut, ka hapur debatet se çfarë do të ndodhë nëse në raundin e dytë nuk arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind.

Në raundin e parë më 21 prill në votime dolën 41.79 për qind nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.

Nga Qeveria në disa raste nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në rast të dështimit, zgjidhjen ta kërkojnë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor.

“Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit në raundin e dytë një nga opsionet është zgjedhja e kreut të shtetit në Kuvend. Por, si mundësi shihet edhe ajo që të mos ketë prag zgjedhor. Presidenti pra të zgjidhet nga qytetarët, por të mos ketë kufizime për dalje në votime. Në raundin e dytë president të zgjidhet ai kandidat që fiton më shumë vota, pavarësisht se sa persona do të dalin në votime. Kjo do të pamundësonte bojkote apo forma tjera për të penguar zgjedhjen e të parit të shtetit”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Edhe kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së kishte deklaruar më parë se presidenti mund të zgjidhet nga Kuvendi në rast të dështimit në zgjedhjet e drejtpërdrejta.

Por, që kjo të ndodhë duhet mbajtur raundi i dytë dhe në rast të dështimit, atëherë partitë do të vendosin mbi formën e zgjedhjes së tij. Për zgjedhjen në Kuvend nevojiten ndryshime kushtetuese, pasi zgjidhja e tanishme nuk e parasheh një mundësi të tillë. Kushtetuta ndryshohet me dy të tretat e votave, që shumica parlamentare sërish do ta ketë të vështirë t’i sigurojë pa një mbështetje të gjerë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve juridike thonë se zgjedhja e presidentit në Kuvend nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme, pasi kjo do ta zhveshë kreun e shtetit edhe më tej nga kompetencat, duke përqendruar pushtetin te Qeveria, gjë që sipas Naser Zyberit, ekspert juridik dhe ish-deputet, nuk është e mirë për demokracinë.

“Në parim kjo nënkupton ngushtim i kapaciteteve të demokracisë në të cilën qytetarët me votën e tyre vendosin për përfaqësuesin më të lartë të shtetit. Pastaj zgjedhja e presidentit në Kuvend e sjell në shprehje mundësinë e pazareve politike mes liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend”, thotë Zyberi duke ngritur edhe çështjet etnike që sipas tij mund të çojë në majorizimin e bashkësive etnike nëse paraprakisht nuk sigurohen ndryshimet kushtetuese, që zgjedhja e tij të mos mund të bëhet pa votim të dyfishtë apo pa votat e shumicës së përfaqësuesve të etniteteve joshumicë.

Zyberi thotë se zgjedhja e presidentit nga qytetarët do të ishte zgjidhja më e mirë dhe për të motivuar daljen e tyre në votime, ai propozon zgjedhjen edhe të një nënpresidenti që në këtë rast do të ishte nga radhët e bashkësive etnike, apo shqiptar si komunitet i dytë më i madh në vend.

Kjo sipas tij do të nxiste garën edhe mes shqiptarëve, ndërsa do të forconte edhe më shumë institucionet në vend, në kuptimin e ndarjes së përgjegjësive dhe rritjes së transparencës.

“Kjo do të ndikonte pozitivisht në dy drejtime, së pari që kandidatët për president detyrimisht do të kenë edhe kandidat për nënpresident nga radhët e shqiptarëve, dhe në këtë rast Kushtetuta do t’i detyronte të jenë më të moderuar, më të përafërt me komunitetet tjera. Dhe e dyta, kjo do t’i mobilizonte pjesëtarët e komuniteteve tjera, në radhë të parë të atij shqiptar që të jenë më aktiv sepse do të nominonin kandidatin e tyre, me gjatë për t’u zgjedhur dhe jo si tani që paraprakisht dihet se kandidati shqiptar nuk kalon në raundin e dytë dhe me këtë ata nuk janë të interesuar për të marr pjesë në votime”, thekson Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do të ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që do të ishte shqiptar i parë në këtë postin më të lartë shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Ai këtë post do ta ushtronte deri në gjetjen e mekanizmave për formën e zgjedhjes së presidentit të ri./Rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat