Maqedoni, votimi në shkolla, rrezik për përhapjen e fruthit

Maqedonia

Maqedoni, votimi në shkolla, rrezik për përhapjen e fruthit

Më: 30 prill 2019 Në ora: 16:16
Zgjedhjet

Shfrytëzimi i hapësirave shkollore për të votuar, mbart rrezikun për përhapjen edhe më të madhe të epidemisë së fruthit. Megjithatë pavarësisht rrezikut, procesi i votimit nuk mund të ndërpritet apo të zhvendoset nëpër lokacione të tjera. Epidemiologët qartësojnë se për shkak se përhapja e sëmundjeve mund të pengohet përmes dezinfektimit dhe pastrimit të hapësirave shkollore zhvendosja e votimit nuk do të ishte e patjetërsueshme.

“Secili tubim, qoftë gjatë votimeve, nëpër teatro e të ngjashme, paraqet rrezik për përhapje të infeksioneve, jo vetëm të fruthit por dhe sëmundjeve tjera infektive. Ana pozitive është se zgjedhjet mbahen të dielën, kur nuk ka prezent nxënës. Zgjedhjet iu takojnë moshave mbi 18 vjeç dhe kështu që fëmijët nuk janë prezent. Nëse mblidhen më shumë njerëz në hapësirat e shkollave ku votohet, duhet që sa më shpesh të ajrosen hapësirat”, tha Biljana Danilovska nga Sektori për Epidemiologji në Qendrën për Shëndet Publik.

Mjekët rekomandojnë që pas procesit të votimit, ambientet e shkollave ku zhvillohet procesi zgjedhor të pastrohen. Sipas tyre me mjete dezinfektuese duhet të bëhet pastrimi i bankave, zyrave, tualeteve.

“Së bashku me Inspektoratin Sanitar Shëndetësor si dhe shërbimi jonë epidemiologjik çdoherë kur jemi prezent nëpër shkolla këshillojmë se çfarë duhet të bëhet. Duhet të përdoren furça të ndryshme si dhe lecka për pastrimin e shkollave, korridoreve të shkollave apo për pastrimin e nyjeve sanitare. Pas shfrytëzimit të hapësirave të shkollave ku mësojnë fëmijët duhet që ato hapësira të pastrohen, ose pas përfundimit të procesit zgjedhor ose të nesërmen para fillimit të mësimit”, theksoi Biljana Danilovska nga Sektori për Epidemiologji në Qendrën për Shëndet Publik.

Shkollat në të gjithë vendin sërish do të hapin dyert për votuesit, të dielën- në 5 maj kur dhe do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat