Bankat me fitime rekord, të huajt po mbledhin ajkën

Maqedonia

Bankat me fitime rekord, të huajt po mbledhin ajkën

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:25
Banka

Sistemi bankar në vend vitin e kaluar ka realizuar fitime nga operacionet, që kapin shumën 8.4 miliardë denarë ose rreth 136 milionë euro, që krahasuar me vitin e kaluar është rritje prej 27,4 për qind, tregon raporti vjetor për rreziqet në sektorin bankar i Bankës Popullore.

Arsyen më të madhe për të qenë të kënaqur me këto rezultate, e kanë pronarët e bankave, shumica e të cilëve janë aksionarë nga jashtë. Në vend, njëmbëdhjetë banka janë në pronësi të aksionarëve të huaj, ndërsa ka edhe gjashtë filiale të bankave të huaja, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Në sistemin bankar, mbizotërojnë banka kryesisht në pronësi të aksionarëve të huaj, edhe atë në të gjitha pozicionet më të rëndësishme të bilancit. Dominimi i tyre është më i theksuar në aktivitetin kreditor (80 për qind) dhe në rezultatin financiar (76,5 për qind)”, thuhet në raportin e Bankës Popullore.

Sipas vendit të origjinës së aksionarëve të huaj, pjesëmarrjen më të madhe e kanë aksionarët nga Greqia dhe Sllovenia, pjesëmarrja e të cilave në kapitalin dhe rezervat e përgjithshme është 19,5% dhe 14,8%.

Nga Banka Popullore shpjegojnë se nëse shikohet në nivel të sistemit bankar, përmirësimi i treguesve të fitimit në vitin 2018 është i dukshëm, por nëse kjo përkthehet në nivel mikro, qartë janë të shprehura dallime të dukshme në mes bankave individuale.

“Kështu, dy banka kanë realizuar kthim të kapitalit dhe aseteve që është më i lartë se sistemi bankar, te tre banka realizimet janë në nivel të sistemit, ndërsa nëntë bankat kanë punuar me fitim, por me rezultate nën nivelin e sistemit bankar. Vetëm një bankë e ka përfunduar vitin me humbje nga puna. Arritjet e tilla e tregojnë nevojën për ristrukturim të bankave më pak fitimprurëse me qëllim të angazhimit më efikas të kapitalit dhe aseteve për të siguruar stabilitet dhe qëndrueshmëri të tyre më afatgjatë. Mundësi tjetër është konsolidimi nëpërmjet bashkimit të sektorit bankar vendas që, sipas hulumtimeve teorike dhe empirike, reflekton pozitivisht në funksionimin e suksesshëm përmes shfrytëzimit të përfitimeve nga ekonomia nga vëllimi dhe efekti i sinergjisë nga bashkimi i operacioneve komplementare”, thuhet në raportin e Bankës Popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat