Reka: Votoni më 5 maj për të shpëtuar procesin eurointegrues

Maqedonia

Reka: Votoni më 5 maj për të shpëtuar procesin eurointegrues

Më: 2 maj 2019 Në ora: 20:54
Blerim Reka

Ish-kandidati për president të shtetit Blerim Reka u bën thirrje qytetarëve më 5 maj të dalin masivisht në votim, për, siç tha ai, ta shpëtojnë procesin eurointegrues.

Reka në profilin e tij në Fejsbuk u ka shprehur falënderim qytetarëve për mbështetjen për konceptin e ri në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe se rreth 80.000 vota për vetëm tri javë në politikë nuk mund të injorohen.

“Më lejoni edhe një herë t’ju shpreh falënderim për votat tuaja për konceptin tim “Një Republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE. Rreth 80.000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidenciale me daljen më të ulët (42 për qind) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të fletëvotimeve, 33.000.

Reka në postimin e tij shton se është e drejtë e qytetarëve të vendosin për cilin do ta japin votën e tyre në raundin e dytë.

“Duke i respektuar votat tuaja, edhe një herë do të përsëris: ato janë vetëm votat tuaja. Ajo është e drejta juaj dhe ju vetë të vendosni për cilin do të votoni në raundin e dytë. Do ta përsëris të njëjtën që e thashë në fillim të fushatës time presidenciale: unë nuk jam tregtar me votat tuaja dhe nuk do t’ju bind për cilin do të votoni këtë javë. Tregtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, veçanërisht me shtyllën e saj kryesore – sundimi i së drejtës.

Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse si deri më tani në raundin e dytë për votat tuaja vendosin liderët partiakë si tregtarë të thjeshtë me votat e popullit?”, ka shkruar Reka në profilin e tij në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat