Lëvizja BESA thërret për zgjedhje të hershme parlamentare

Maqedonia

Lëvizja BESA thërret për zgjedhje të hershme parlamentare

Më: 3 maj 2019 Në ora: 11:07
Lëvizja Besa

Partia opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut Lëvizja Besa bëri thirrje për mbajtje të zgjedhjeve të hershme parlamentare pa marrë parasysh epilogun e rrethit të dytë zgjedhor të zgjedhjeve për kryetar të vendit që mbahet këtë të dielë.

Në një komunikatë për mjetet e informimit ajo tha se menjëherë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të vendit me 5 maj, koalicioni qeveritar do të duhej që të shpallë zgjedhjet për shkak të siç tha ajo “de-legjitimimit të partive politike shqiptare në pushtet.

“...për shkak të delegjitimimit të faktorit politik shqiptar në qeveri, pavarësisht epilogut zgjedhor në 5 Maj, Lëvizja BESA kërkon nga shumica parlamentare që menjëherë të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që realiteti politik i përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të reflektojë edhe me mandatet e deputetëve shqiptar në Kuvend,” thuhet në komunikatë.

Lëvizja Besa, ndërkohë i ka ftuar përkrahësit e saj që “të dalin më 5 Maj dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke respektuar bindjet e tyre individuale.”

“E rëndësishme për Lëvizjen BESA është që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një President dhe mos të krijohet krizë e re institucionale që do ngadalësojë proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Zoran Zaev më herët ka premtuar se nëse në rrethin e dytë zgjedhor, Stevo Pendarovski, kandidati i përzgjedhur nga koalicioni qeveritar për garën për kryetar vendit, nuk do të fitojë dhe nëse nuk do të arrihet pragu zgjedhor 40 për qind i pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, atëherë ai do të thërras zgjedhjet e hershme për këtë vit.

Në rast se nuk do të ketë zgjedhje të hershme, atëherë zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në Dhjetor të 2020-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat