723.253 votues duhet të votojnë për t'u arritur cenzusi, përndryshe zgjedhjet dështojnë

Maqedonia

723.253 votues duhet të votojnë për t'u arritur cenzusi, përndryshe zgjedhjet dështojnë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 11:21
Zgjedhjet

Të dielën më 5 maj do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtën e votës e kanë 1.808.131 votues, të cilët mund të zgjedhin mes dy kandidatëve Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski, të cilët në raundin e parë morën më së shumti vota, por jo dhe shumicën e nevojshme prej 904.066 vota që të zgjedhen president që në rrethin e parë.

Raundi i dytë mbahet menjëherë pas 14 ditëve nga raundi i parë, në këtë rast më 5 maj. Për President mund të zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicën e votave, nëse në votim kanë dalë më tepër se 40% e votuesve, gjegjësisht 723.253 votues, ashtu siç parashihet me nenin 121, paragrafi 3 nga Kodi Zgjedhor.

Nëse në raundin e dytë nuk arrihet cenzusi prej 40%, atëherë duhet të përsëritet i gjithë procesi zgjedhor. Dalja në raundin e parë në këto zgjedhje presidenciale ishte rreth 42%, dhe kështu u shtua frika se vallë të dielën a do të arrihet cenzusi apo dalja e 40% e qytetarëve.

Nëse ndodhë kjo, në opinion po shkëmbehen mendime të ndryshme nëse duhet të përsëriten zgjedhjet, të ndryshohet kushtetuta për ulje të cenzusit apo që Presidenti të zgjidhet në parlament.

Gjithsesi, nëse dështojnë zgjedhjet, deri në zgjedhjet e Presidenti të ri, funksionin e presidentit do ta ushtrojë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme, me votim të fshehtë, me mandat prej pesë viteve. Për president, një person mund të zgjidhet më së shumti dy herë. Presidenti medoemos duhet të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut. I njejti duhet të ketë së paku 40 vjet.

Zgjedhja e Presidentit të ri bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit në ikje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat