Tetova pret 1200 filloristë

Maqedonia

Tetova pret 1200 filloristë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 18:28
Shkupi

Edhe përkundër raportimeve se në mbarë vendin duke përfshirë edhe Tetovën, numri i nxënësve shënon rënie, megjithatë në Komunën e Tetovës insistojnë se numri është konstant vite me radhë duke u thirrur në numrin e nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Kompetentët, madje insistojnë se ka edhe shtim të numrit të nxënësve

“Në suaza të Komunës së Tetovës, në shkollat fillore ne nuk kemi ulje të numrit të nxënësve. Në territorin e Komunës së Tetovës, disa vite me radhë, kemi një shtim të numrit të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Gjithashtu, edhe në klasat e tjera të shkollës fillore, kemi edhe migrim në qytetin tonë, me ç’rast kemi dhe një numër të nxënësve që regjistrohen në klasë të dytë, tretë, katër, pestë deri në klasë të nënta të arsimit fillor. Edhe këtë vit, jemi në pritje që i njëjti trend të ruhet dhe të kemi një ruajtje konstante të numrit të nxënësve që do të regjistrohen në klasë të parë, por ndoshta do të kemi edhe një shtim të vogël të numrit të nxënësve që do të regjistrohen në vitin shkollor 2019/20”, thotë Ahmet Qazimi, udhëheqës në Sektorin për Arsim në Komunën e Tetovës. Tashmë në shkollat fillore do të fillojë regjistrimi në klasë të parë. Sipas dikasterit të arsimit, pritjet janë që në shkollat fillore në Tetovë të regjistrohen mbi 1200 nxënës.

“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga organet kompetente sivjet duhet që të regjistrohen 1675 nxënës, prej të cilëve 1466 nxënës janë nxënës që duhet të regjistrohen në paralelet me arsim në gjuhën shqipe, 179 nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase dhe 30 nxënës me mësim në gjuhën turke. Pritjet janë të atilla që duke patur parasysh që një pjesë e këtyre nxënësve janë të shpërngulur në perëndim apo diku tjetër, numri i nxënësve që do të regjistrohen në klasë të parë të jetë në suaza të numrave të vitit të kaluar, ashtu që shpresojmë që regjistrimet këtë vit të jenë prej 1250 deri në 1300 nxënës, që duhet të ruhet trendi i rritjes se numrit të nxënësve duke pas parasysh faktin që para 6 viteve, në klasë të parë ishin të regjistruar 1130 nxënës, kurse sivjet kemi të regjistruar 1250 nxënës. Ashtu që edhe sivjet jemi në pritje që ky trend të ruhet dhe të kemi konstantë numrin e nxënësve që do të regjistrohen në klasë të parë, por edhe shtimin e nxënësve që do të regjistrohen”, shprehet Qazimi.

Në ndërkohë, sipas raportimeve të mëhershme të gazetës Koha, në vendbanimet rurale, sidomos në Malësinë e Tetovës, ka rënie drastike të numrit të nxënësve. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se kjo i dedikohet migrimit fshat-qytet. Por, prej atje nuk përjashtojnë mundësinë që shumë banorë bashkë me familjet e tyre të kenë braktisur vendin dhe të jenë larguar jashtë në shtetet e Evropës. “Është fakt që në disa vendbanime rurale kemi prej viti në vit ndryshueshmëri të numrit të nxënësve, mirëpo në kohë të fundit edhe në fshatrat e Malësisë është duke u ruajtur numri konstant i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Duhet të keni parasysh periudhën kohore vitin 1981, dhe tani jemi në vitin 2019, pra kemi një distancë kohore përafërsisht prej 40 viteve, duhet të kemi parasysh faktin që në atë periudhë shkolla në Shipkovicë ka qenë shkollë qendrore në të cilën ka qenë në të cilën kanë gravituar dhe fshatrat e tjera të Malësisë duke filluar nga Bozofca, Veshalla, Brodeci, Shipkovica, dhe të gjitha këto fshatra si shkollë qendrore e kanë pasur shkollën e Shipkovicës, dhe është fakt se shkolla fillore në atë periudhë ka pasur numrin e nxënësve, shifër të cilën ju e keni përmendur. Tani në kohë të fundit, të gjitha fshatrat kanë shkollat e veta fillore dhe numri i nxënësve në qoftë se mblidhet nga të gjitha shkollat që gravitojnë në fshatrat e Malësisë do të kemi një numër që është përafërsisht i njëjtë me atë numër”, deklaroi Qazimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat