Kush është Stevo Pendarovski, kryetari i ri i Maqedonisë së Veriut?

Maqedonia

Kush është Stevo Pendarovski, kryetari i ri i Maqedonisë së Veriut?

Më: 6 maj 2019 Në ora: 09:23
Stevo Pendarovski

Stevo Pendarovski është kryetar i Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të para zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni.

Ai ka fituar 435.957 vota, apo 51,67%, prej  qytetarë të dalë në zgjedhje.

Stevo Pendarovski është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup. Ai është politikan, profesor dhe analist.

Pendarovski është docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim, në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup dhe ish-kandidat për President të Republikës së Maqedonisë.

Pendarovski, pas mbarimit të arsimit të lartë, është emëruar udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Përskaj kësaj, për tri vite resht ka ushtruar edhe postin e zëdhënësit (ndihmës ministër për marrëdhënie me publikun), pranë MPB-së.

Nga viti 2001 është emëruar për shef të sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.

Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me gjithsej 398.077 vota të fituara.

Pendarovski në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016 ishte bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në njësinë zgjedhore numër një, nga ku edhe fitoi mandatin e tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga funksioni i deputetit pasi që u emërua në funksioni aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitje të Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Ndryshe, Pendarovski kundër kandidat në zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë kishte Blerim Rekën u përkrah nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Gordana Siljanovskën, e cila ishte kandidate e VMRO-DPMNE-së.

Në rrethin e dytë, Pendarovski është fitues me 58.600 vota para Gordana Siljanovska-Davkova.

Rethi i parë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut kishte dalje prej 41.7% kurse në rrethin dytë dalja u rrit ndërsa përqindja përfundimtare ishte 46.70%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat