RMV: Është rritur numri i të sëmurëve nga astma, nevojitet terapi biologjike

Maqedonia

RMV: Është rritur numri i të sëmurëve nga astma, nevojitet terapi biologjike

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Numri i personave, të kontrolluar në ambulancë, të cilët janë diagnostifikuar për herë të parë si të sëmurë nga astma është në rritje, por është regjistruar ulje e numrit të pacientëve të hospitalizuar. Mjekët thonë se pacientët me formë të rëndë të astmës kanë nevojë për një lloj të veçantë të terapisë biologjike, e cila ende nuk është në dispozicion dhe nuk është e regjistruar në vend, njofton Portalb.mk.

Në lidhje me marrjen e barnave të përshkruara në barnatore, nga Fondi për sigurim shëndetësor kërkohet pezullim të kuotës për barnat inhaluese, sepse pacientët harxhojnë shumë energji dhe kohë duke e kërkuar ilaçin e përshkruar. Kjo u theksua dje në një konferencë për shtyp në Klinikën e Pulmologjisë me rastin e shënimit të Ditës botërore të astmës.

Dr. Biserka Qaeva Jovkovska, e cila është kryetare e Shoqatës së mjekëve pulmologë të Maqedonisë, theksoi se terapia e kombinuar inhaluese është në listën pozitive të ilaçeve dhe në saje të kësaj terapie nuk është i regjistruar ndonjë rast i rëndë me astmë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet që t’ia dalim që, të sëmurët me formë të rëndë të astmës ta pranojnë terapinë. Ka një problem me të cilin përballemi çdo ditë dhe ka të bëjë me marrjen e ilaçeve në barnatore. Si shoqatë jemi drejtuar te Fondi për sigurim shëndetësor në lidhje me pezullimin e kuotës për ilaçet inhaluese, sepse pacientët harxhojnë shumë energji dhe kohë duke e kërkuar ilaçin që ua përshkruajmë ne”, tha Dr. Qaeva Jovkovska dhe u bëri thirrje organeve kompetente që pacientët ta marrin me kohë ilaçin e përshkruar, për ta mbajtur sëmundjen nën kontroll .

Drejtori i Klinikës, Dr. Dejan Dokiq tha se vitin e kaluar në ambulancë janë kontrolluar 1.450 pacientë,  1,403 pacientë në vitin 2017 dhe 1343 pacientë në vitin 2016. Ai vuri në dukje se ka një tendencë të uljes së numrit të pacientëve të cilët janë hospitalizuar për shkak të astmës, që do të thotë se ka numër më të madh pacientësh me forma më të lehta të sëmundjes, ndërsa për shkak të parandalimit të mirë është reduktuar numri i pacientëve me sëmundje të rëndë dhe serioze që kërkojnë hospitalizim.

“Vitin e kaluar janë hospitalizuar 260 pacientë, 279 pacientë në vitin 2017 dhe 282 pacientë në vitin 2016. Kjo është për shkak të edukimit të pacientëve dhe shpjegimit si t’i marrin ilaçet moderne që janë kryesisht me inhalim”, shtoi Dokiq.

Doktor Gorica Breshkovska nga Klinika për pulmologji tha se ata rekomandojnë që çdo pacient, me mjekun vet, duhet të bëjë plan i cili do t’iu mundësojë t’i zvogëlojnë rreziqet dhe t’i kontrollojë simptomat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat