Papa Françesku: Mozaiku i shoqërisë tuaj, pasuri

Maqedonia

Papa Françesku: Mozaiku i shoqërisë tuaj, pasuri

Më: 7 maj 2019 Në ora: 16:19
Papa Françesku

Vizita historike e Papa Françeskut në Shkup u shënua me nderimet më të larta shtetërore dhe fetare. Ai u prit në aeroportin e Shkupit nga Presidenti Gjorge Ivanov dhe Kryeministri Zoran Zaev me të cilët vijoi vizitën në Vilën Presidenciale në Vodno. Kreu i Kishës Katolike dhe drejtuesi i Vatikanit e konsideroi vendin si urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit dhe një gërshetim i karakteristikave të rajonit.

"Kjo pasuri kulturore është pasqyruar në më të rëndësishëm tuaj dhe në trashëgiminë me të vlefshme – përbërjen multietnike dhe multireligjioze të popullit tuaj, frut i historisë së pasur dhe marrëdhënieve komplekse të krijuara gjatë shekullit të kaluar. Ky mozaik mundëson të arrihet një bashkëjetesë e qetë dhe e gjatë, ku identitetet e ndryshme zhvillohen pa mohuar dhe diskriminuar të tjerët.”- theksoi Papa Françesku

"Ju përkuleni në këmbët e të sëmurëve dhe të varfërve, të burgosurve dhe refugjatëve, të uriturve dhe të eturve, atyre të lënë anash dhe të margjinalizuarve, pa marrë parasysh a janë kristijanë, muslimanë, çifutë, hindu, budistë, ateistë… Besoj se veprat tuaja nuk janë edhe një simbol i shkuar kot. Përkundrazi, ju na kujtoni se edhe pse dashuria jonë njerzore ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve është e ndryshueshme, dashuria dhe vlera e Zotit ndaj shërbyesve të tij është e përhershme.”- tha Gjorge Ivanov, president.

Këtë vizitë, Papa ja dedikon humanistes botërore me prejardhje nga Shkupi, Shenjtores Nënë Tereza. Pikërisht Papa Françesku ishte ai i cili në vitin 2016 e shpalli Nënë Terezën shenjtore. Para Shtëpisë Përkujtimore të Nënë Terezës, Papa vendosi lule dhe u përkul para përmendores së saj.

 

"Ajo shkoj tek Zoti dhe në të njëjtën kohë te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetëm dhe i harruar. Shkoi tek vëllai dhe e gjeti fytyrën e Zotit sepse e dinte se dashuria e Zotit dhe dashuria për të afërmit ekzistojnë bashkë. Pikërisht kjo dashuri ishte e vetmja mundësi për të zbukur urinë.” – u shpreh Papa Françesku

Papa Françesku takoi edhe krerët e komuniteteve të tjera fetare dhe grupet e margjinalizuara të qytetarëve.

Mesha kryesore u zhvillua në sheshin “Maqedonia” në prani të mijëra qytetarëve, funksionarëve shtetëror dhe përfaqësuesve të korit diplomatik. Papa, në Katedralen “Zemra e Shenjtë e Krishtit” bëri lutjen e fundit në prani të priftërinjëve, murgjëve dhe murgeshave katolike. Delegacioni i tij u përcoll në Aeroportin e Shkupit në orët e pasditës. Në turin Ballkanik, Papa të dielën dhe të hënën qëndroi në Bullgari ku vizitoi edhe kampin e refugjatëve në Sofje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat