Plenkoviq: Do të bëjmë gjithçka që Maqedonia e Veriut të marrë datën në qershor

Maqedonia

Plenkoviq: Do të bëjmë gjithçka që Maqedonia e Veriut të marrë datën në qershor

Më: 8 maj 2019 Në ora: 09:42
Andrej Plenkoviq

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, në një deklaratë për AIM thotë se Kroacia do të bëjë gjithçka që mundet që t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut të marrë datën për negociatat me BE-në në muajin qershor.

Plenkoviq, i cili dje pasdite ishte për vizitë në Bruksel, dhe vendi i të cilit e merr kryesimin me BE-në që nga viti i ardhshëm, përkujtoi se zgjerimi do të jetë lartë në agjendën e vendit të tij.

I pyetur se a do të tentojë që në Këshillin e ardhshëm në qershor, vendi i tij t’i bindë vendet e tjera të cilat ende kanë rezerva për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ai tha se Kroacia shumë mirë e kupton se një hap para është shumë i rëndësishëm.

“Të gjithë miqtë tanë në atë që është Maqedonia e Veriut janë shumë të vetëdijshëm se sa e mbështesim rrugën e tyre evropiane”, tha Plenkoviq.

Plenkoviq tha se nëse një vend e kupton se sa është i rëndësishëm një hap para për Maqedoninë e Veriut, ajo është Kroacia.

“Jemi të bindur fuqishëm se pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit ata meritojnë një hap përpara, do të bëjmë gjithçka që mundim që ta mbështesim në këtë drejtim, ndërsa së pari ta shohim se çka do të rekomandojë Komisioni Evropian në raportet në maj”, theksoi Andrej Pleknoviq.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në qershor pret që të marrë datën për fillimin e bisedimeve, siç u angazhua vitin e kaluar Bashkimi Evropian nëse përmbushen katër kushtet e parapara.

Finlanda e ndërmerr kryesimin me BE-në nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa pas saj në krye të BE-së është Kroacia, e cila paralajmëroi se zgjerimi do të jetë një nga prioritetet e larta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat