O.H Hilal me aksion humanitar në Tetovë, ndahen 10 tonelata pako ushqimore

Maqedonia

O.H Hilal me aksion humanitar në Tetovë, ndahen 10 tonelata pako ushqimore

Më: 8 maj 2019 Në ora: 14:12
O.H Hilal

Në kuadër të aksionit Mëshira dhe Solidariteti i Ramazanit, në ditën e tretë të muajit të bekuar të Ramazanit, pra, të Mërkurën më 08 Maj 2019, Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka ndërmarrë aksion humanitar në qytetin e Tetovës, gjegjësisht Myftininë e Tetovës, ku në mënyrë të koordinuar ka bërë ndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore, të pastrehët dhe jetimët, me ç’rast u ndanë 10 tonelata ndihma humanitare. 

Ashtu siç u njoftua në fillim të këtyre aksioneve, OH Hilal për këtë muaj të bekuar ka planifikuar të shpërndan mbi 200 tonelata ndihma. Ashtu si edhe vitet e kaluara këto aksione mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamive në tërë vendin, të cilat fillimisht përpilojnë lista të skamnorëve dhe më pas ato ndihma shpërndahen sipas këtyre listave në tërë territorin e vendit tonë.

Pra, në këtë aksion, Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti i dorëzoi 10 tonelata ndihma Myftiut të Myftinisë së Tetovës, Qani ef. Nesimi, i cili në prezencë të mediumeve lokale falënderoi publikisht OH Hilal dhe Kryetarin e saj ef. Dautin si dhe një falënderim të posaçën për Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për angazhimin e palodhshëm në sferën e humanitetit dhe sigurimin e ndihmave për skamnorët e tërë territorit të Maqedonisë së Veriut, e posaçërisht skamnorëve dhe jetimëve të qytetit të Tetovës si dhe Bashkësinë Fetare Islame, e cila nëpërmjet organizimeve të ndryshme gjatë këtij muaji të bekuar, kontribuon në organizimin e madhërishëm të jetës fetare në vend.

Me këtë rast Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti falënderoi Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe na dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni. Gjithashtu, ai falënderoi edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka për mbështetjen disa vitëshe.

Efendi Dauti para mjeteve të informimit deklaroi se: “Sot i jemi përgjigjur kërkesës së Myftinisë së Tetovës dhe listave të përpiluara paraprakisht, për të ndihmuar skamnorët dhe jetimët që gravitojnë në këtë Myftini, ku edhe bëmë ndarjen e 10 tonelata ndihma. Aksionet e tilla do të vazhdojnë çdo ditë përgjatë tërë muajit të Bekuar të Ramazanit, ku ne si organizatë këto ndihma do t’i shpërndajmë nëpër të gjitha myftinitë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Njëherit dua të falënderoj Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi, që vazhdimisht na jep mbështetje të fuqishme, kurajë dhe vullnet që këto ndihma të shkojnë në vendin e duhur, pra tek skamnorët dhe të gjithë ata që kanë nevojë”.

Menjëherë pas dhënies së deklaratave për mediumet, në një transparencë të plotë para kamerave televizive, Myftiu i Tetovës dhe Kryetari i OH Hilal filluan të ndajnë ndihmat për skamnorët të cilët paraprakisht ishin njoftuar dhe planifikuar. Ndihmat e tilla humanitare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit janë më se të nevojshme për skamnorët, sepse duke parë që varfëria po merr hov të madh nëpër popullatën muslimane, kushtet e vështira dhe papunësia e madhe, jemi të bindur se këto ndihma sado pak do të zbutin varfërinë tek shumë familje skamnore.

Ashtu siç u përmend më herët, OH Hilal për gjatë muajit të Ramazanit ka planifikuar aksione të pandalshme ku do të bëhet shpërndarja e 200 tonelatave ndihma, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat