Osmani pozitiv për çeljen e negociatave në qershor

Maqedonia

Osmani pozitiv për çeljen e negociatave në qershor

Më: 8 maj 2019 Në ora: 15:38
Bujar Osmani

Maqedonia është shembull pozitiv për rajonin dhe këtu mund të përmenden edhe zgjedhjet presidenciale, që vendin e afrojnë edhe disa hapa drejt evropianizimit. Megjithatë gjasat që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian nuk shihen para vitit 2025, kështu tha Monika Begoviç nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Kroaci, e cila ishte e ftuar në  panel diskutimin “Ballkani Perëndimorë dhe vlerat euroatlantike”.

Mendoj se viti 2025 është viti për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paraprakisht ajo do të jetë edhe anëtare e NATO-s. Muajt e fundit Maqedonia e Veriut tregoi se  është shembull pozitiv dhe  rrjedhimisht merr dritë jeshile  që në vitin 2025 të jetë pjesë e BE-së. Vlerat evropiane vendi juaj I tregoi edhe gjatë politikë bërjes  në përgjithësi- deklaroi Monika Begoviç nga Qendra për Studime Ndërkombëtare, Kroaci.

Megjithatë, anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Dhushan Janjiç, drejtues i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike – Serbi, e sheh disa vite më vonë dhe shton se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të përshpejtojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE.

Agjenda e Maqedonisë tani është e qartë. Për një apo  dy vjet pjesë e NATO-S dhe bisedimet. Maqedonia është shembull për dy gjëra, për rajonin për shmangien e përballjeve në të cilat mund të përfshihej dhe proceset politike deri në arritjen e vendimeve përmes bashkëpunimit. Nuk mund të parashikohet datë fikse. Janë 35 kapituj, kërkojnë kohë. Mendoj se Ballkani Perëndimorë mund të jetë pjesë e BE-së ne vitin 2030- tha Dushan Janjiç- Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike, Serbi.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, tha se 20 ditët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për vendin, pasi kaq ditë na ndajnë nga publikimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian.

Jemi në 20 ditët e fundit para publikimit të raportit vjetorë të Komisionit Evropian, për të cilin shpresojmë se do të jetë ai raport në të cilin do të jetë edhe vendimi për fillimin e negociatave me BE-në, në Qershor. Tani duke hyrë në një stabilitet dhe parashikueshmëri politike mund të përqendrojmë të gjithë energjinë duke mos lënë argumente apo gur pa kthyer për të marrë, së pari  raportin më të pastër dhe rekomandim pozitiv- tha Bujar Osmani- zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Nesër për shënimin e 9 Majit, Ditës së Evropës do të shtrohet edhe mëngjesi tradicional me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa të premten zv/kryeministri Osmani do të udhëtojë drejt Brukselit ku do t’i drejtohet për herë të fundit Komisionit Evropian, para publikimit të Raportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat