Parregullsitë në RTVM, raporti dorëzohet në Kuvend

Maqedonia

Parregullsitë në RTVM, raporti dorëzohet në Kuvend

Më: 8 maj 2019 Në ora: 16:01
RTVM

Raporti i revizionit për lëshimet në punën e Radiotelevizionit të Maqedonisë nuk është dërguar te Prokuroria Publike, Policia Financiare dhe Ministria e Brendshme. Mijalçe Durgutov nga Enti Shtetëror i Revizionit bëri të ditur për Alsat se revizorët e drejtpërdrejtë që e kryen revizionin kanë vendosur që dokumenti të mos u dërgohet autoriteteve hetuese. Megjithatë, konkludimet e revizionit janë dorëzuar në Parlament, ndërsa raporti është shpërndarë tek deputetët. Nga Parlamenti theksuan se nëse Qeveria e kërkon raportin e revizionit, do t’ua dorëzojnë edhe atyre.

Revizioni në RTVM për vitin 2017 nxori në pah një sërë parregullsish. Drejtori Marjan Cvetkovski ka autorizuar udhëheqës të sektorit për të nënshkruar dokumente në emër të tij, ndërsa revizorët dyshojnë se ekziston rrezik për funksionim të paligjshëm. Përveç kësaj, revizorët kanë zbuluar se Këshilli i Programacionit pranë RTVM-së dhe Bordi Mbikëqyrës, megjithëse nuk kanë pasur autorizim, kanë dhanë dritë jeshile që shërbimi publik të merr kredi. Ata madje kanë porositur t’u përgatitet një plan biznesi, i cili është dashur të jetë garanci për kredinë. Pasi u është lejuar kredi prej dy milionë eurove, paratë në vend që për investime, siç janë shprehur në planin e biznesit , televizioni i ka shpenzuar për shlyerje të borxhit. Revizioni nuk ka mundur ta përcaktojë as realizimin e reklamave në RTVM, pasi nuk ka pasur plan medial. Kanë paguar mbi 400 mijë euro, por revizorët nuk janë siguruar për realitetin e të ardhurave të raportuara nga ana e marketingut. Subjekt të analizës kanë qenë edhe dokumentarët që RTVM i ka bërë në bashkëprodhim me shtëpitë e produksioneve. Për serial janë shpenzuar prej 100 mijë deri në 400 mijë euro, ndërsa gjithsej për këtë qëllim janë ndarë rreth 2,2 milionë euro. Revizorët nënvizojnë se për serialin “Tvrdokorni” janë paguar gati 400,000 euro një produksioni të huaj, por sipas të dhënave të kontabilitetit, projektet nuk janë udhëhequr sipas çmimit real. Në RTVM, revizorët kanë zbuluar se ka mungesë edhe të pajisjeve – nuk dihet se ku janë, kush i përdor dhe për çfarë qëllimi. Nga Prokuroria nuk u përgjigjën nëse për raportin e ESHR-së do të hapin procedurë nga informacioni i marrë. Përndryshe, sipas revizorëve, personi përgjegjës për rezultatet në raport është drejtori i RTVM-së, Marjan Cvetkovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat