Kandidati për deputet në Bruksel e fillon fushatën me flamur kuq e zi te busti i Skënderbeut

Maqedonia

Kandidati për deputet në Bruksel e fillon fushatën me flamur kuq e zi te busti i Skënderbeut

Më: 10 maj 2019 Në ora: 23:28
Burim Demiri

 Ai është shpresë e re e shqiptarëve të Brukselit në zgjedhjet e që do të mbahen në fund të muajit maj të këtij viti, ku garës i kanë hyrë dhjetëra kandidatë me origjinë shqiptare. Burim Hisen Demiri, 31 vjeçar, është kandidat për deputet për regjionin e Brukselit nga lista e partisë DEFI, ku mban numrin 15. Si kandidati shqiptar me gjasa më të mëdha për tu zgjedhur deputet në këtë regjion, Burimi ka vendosur që fushatën zgjedhore ta fillojë me flamurin kuq e zi para bustit të Skenderbeut në Bruksel.

Edhe pse në moshë vetëm 31 vjeçare, ai nuk futet pa bagazh në këtë garë zgjedhore. Si këshilltar në komunën Skaerbek, Burimi ka realizuar shumë projekte të rëndëishme për banorët e kësaj komune, e posaçërisht për shqiptarët. Ai nuk e ka ndërmend të ndalet në veprimtarinë për të kontribuar për shqiptarët që jetojnë në kryeqytetin e Belgjikës. Prej para bustit të heroit tonë kombëtar, Burimi ka bë premtimin se nëse fiton garën zgjedhore, do të angazhohet që një rrugë e Brukselit të mbajë emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, kurse një shesh të emërohet sipas humanistes së madhe Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Terezë. Partia e tij pritet të jetë vendimtare për formimin e qeverisë në regjionin e Brukselit dhe kjo i krijon atij hapësirë edhe më të madhe për të punuar në të mirë të shqiptarëve që jetojnë në Bruksel.

Gjasat për fitore të Burim Demirit shtohen edhe falë përkrahjes së fuqishme që merr nga kryetari i komunës Skaerbek, Bernard Krelfai, i cili është një nga figurat më të fuqishme politike në Bruksel. Krelfai mbështet Demirin edhe si kuadër të ri politik, por edhe si shqiptar. Falë miqësisë së tyre, dyert e komunës së Skaerbekut janë gjithmonë të hapura për shqiptarët, qoftë për ata që jetojnë në Bruksel, e qoftë për ata që vijnë përkohësisht në kryeqytetin belg. Njëkohësisht kjo është komuna ku jeton komuniteti më i madh shqiptar në Bruksel. Për këtë arsye, Krelfai thotë  se nëse Tirana është kryeqytet i Shqipërisë, Skaerbeku është kryeqytet i shqiptarëve të Brukselit.

Komuna e Skaerbekut është shtëpia e dytë e Burim Demirit. Ai ka mbështetjen e gjithë administratës dhe funksionarëve në këtë komunë.

Burim Demiri, në periudhën 2012-2018 ka qenë i zgjedhur me vota për këshilltar në Komunën Skarbek të Brukselit, gjatë së cilës ka bërë punë të mëdha për komunitetin shqiptar të kësaj komune. Ai bashkë me babain Hisen Demiri, një aktivist i hershëm i diasporës shqiptare, e themeloi dhe financoi shkollën shqipe ne Skarbek, dhe me ndihmën e kryetarit të komunës, siguroi një stadium të madh për rininë shqiptare të FC “Kosova”. Më tej, me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, organizoi një konferencë shkencore, ndihmoi në aksionin për restaurimin e bustit të Skënderbeut, ngritjen e pllakës përkujtimore për atdhetarin Muharrem Bajraktari, etj. Prandaj Buri Demiri ai ka mbështetje të fuqishme nga shqiptarët që jetojnë në Bruksel, pa marrë parasysh nëse janë me origjinë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, ose trojet tjera. Ai është i respektuar edhe edhe nga votuesit belgë, si dhe nga votues të komuniteteve tjera në një hapësirë etnikisht mjaft të përzier, siç është Brukseli.

Burim Demiri ka premtuar se nëse fiton të zgjidhet deputet i regjionit të Brukselit, do të angazhohet për avancimin e rinisë shqiptare të Brukselit, dhe inkuadrimin e tyre në jetën arsimore, kulturore dhe sportive. Ai tanimë i ka deponuar edhe dy kërkesat e lartpërmendura në Komunën e Skaerbekut: Vendosjen e bustit të Nënë Terezës në një nga sheshet e qytetit dhe emërtimin e një rruge apo sheshi me emrin Ibrahim Rugova. Burimi asnjëherë nuk e ka harruar as vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tij, Runicën dhe Kumanovën, të cilat i viziton shpesh. Në vitin 2015, në Runicë ndihmoi ngritjen e pllakës përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të krimeve të komunizmit mbi këtë fshat. Ndërsa, paralajmëron edhe aksione tjera për vendin e të parëve të tij. Prandaj, komunitetit shqiptar iu ka gëzuar kandidimit të Burim Demirit, tek i cili shohin një shpresë të re dhe një mundësi më shumë për realizimin e kërkesave të tyre.

Përkrahje për të, vjen edhe nga bashkëvendasi Arsim Jakupi, i cili poashtu është kandidat në zgjedhjet lokale.

Lista e kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet e trefishta belge që do të mbahen më 26 maj nuk përfundon këtu. Një kandidaturë mjaft ambicioze është edhe ajo e Alketa Selimajt, këshilltare në qeverinë belge me prejardhje nga Vlora.

Zgjedhjet në Belgjikë mbahen më 26 maj dhe janë zgjedhje të trefishta- zgjedhje komunale, zgjedhje për tri njësitë federale të vendit dhe zgjedhje për Parlamentin evropian. Partitë belge në listat e tyre kanë përfshirë shumë kandidatë shqiptarë dhe me një dalje masovike në zgjedhje, shqiptarët mund të bëhen faktor i rëndësishëm në politikën belge, si asnjëherë më parë deri më tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat