BFI, asnjë epilog lidhur me incidentin e para tri javëve

Maqedonia

BFI, asnjë epilog lidhur me incidentin e para tri javëve

Më: 13 maj 2019 Në ora: 22:00
Pamje nga aksioni

Ende asnjë epilog lidhur me incidentin në Bashkësinë Fetare Islame të para tri javësh kur Skender Buzaku që pretendonte se është kryetar i këtij institucioni fetar pas një vendimi gjyqësor i cili për palën tjetër është i falsifikuar. Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski thotë se detajet mbi hetimet së shpejti do të publikohen por pa dhënë detaje mbi atë që kishte ndodhur në BFI.

Ka proces të hapur. Ne punojmë bashkërisht me Prokurorinë për këtë rast për tu mbledhur të gjitha faktet dhe argumentet. Mendoj se këto shumë shpejtë do të dalin në dukje- deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Edhe nga Prokuroria thonë se janë duke punuar për këtë rast, por edhe organi i akuzës pa detaje për hetimet.

Ndërkaq, prej tri javësh me vendim të Gjykatës Themelore – Shkupi 2, si kryetar i BFI-së figuron Skënder Buzaku. Ai atëherë me të marr vendimin e gjykatës, menjëherë ia mësyu zyrave të BFI-së, madje në prani të forcave të shumta policore. Udhëheqësit aktual këtë veprim e quajtën tentim për puç ndaj Reisit Rexhepi.

Nga Bashkësia Fetare Islame reagojnë duke kërkuar zbardhjen e shpejtë të rastit dhe nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve që sipas BFI-së është Skender Buzaku aktin e të cilit e vlerësojnë si një tentim për puç në mënyrë kriminale përmes dokumenteve të falsifikuara.

 Buzaku bëri një vepër kriminale, duke falsifikuar dokumentet kinse të dorëheqjes së parevokueshme të Reisit dhe zgjedhjen e imagjinuar të udhëheqësisë së re. Ne kemi ngritur padi kundër tij dhe presim nga Prokuroria Publike dhe Ministria e Brendshme që ta zbardhin këtë akt kriminal- thonë nga Bashkësia Fetare Islame.

Skënder Buzaku, i cili pretendon se është kryetar legjitim i BFI-së, vendimin e gjykatës e ka dorëzuar edhe në Regjistrin Qendror. Këtë e konfirmoi të premten edhe drejtoresha Marija Boshkovska, duke thënë se ka pranuar kërkesë për regjistrimin e një ndryshimi sa i takon rastit të ndodhur së fundmi në BFI, konkretisht  për emërimin e Skënder Buzakut në krye të këtij institucioni fetar. Lidhur me këtë, e para e Regjistrit Qendror shtoi se janë pranuar dy vendime gjyqësore.

E deri sa institucionet vazhdojnë hetimet mbi këtë ngjarje, Sulejman Rexhepi vazhdon të përfaqësoj këtë institucion fetar nëpër ngjarjet zyrtare që organizon shteti. Jo më larg se një ditë më parë, gjatë inaugurimit të presidentit të ri, Rexhepi qëndroi në rend të parë, pran krerëve të bashkësive të tjera fetare në vend.

Adnan Qaili    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat