Disa ligje të kthyer nga Ivanovi, sot votohen sërish nga deputetët

Maqedonia

Disa ligje të kthyer nga Ivanovi, sot votohen sërish nga deputetët

Më: 16 maj 2019 Në ora: 10:53
Kuvendi I Maqedonisë së Veriut

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sot në seancë plenare për herë të tretë duhet të votojnë disa ligje, të cilat më parë ish-presidenti Gjorge Ivanov, refuzoi t’i nënshkruante dhe i ktheu në Kuvend.

Pritet që këto ligje pasi të votohen sërish me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, të publikohen në Gazetën Zyrtare.

Kryetari i ri i shtetit Stevo Pendarovski, ka thënë se një nga obligimet e para pas marrjes së detyrës do të jetë nënshkrimi i ligjeve, që paraardhësi i tij Ivanov i ka kthyer në Kuvend.

Ligjet që do të votohen për herë të tretë nga deputetët janë Ligji për Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Ligji për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, Ligji për mbikëqyrje inspektoriale, Ligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për bashkëprodhimin kinematografik, Ligji për rezerva të detyrueshme të derivateve të naftës, Ligji për Kryqin e Kuq, Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë dhe Ligji për dokumente elektronike, identifikim elektronik dhe shërbime të besueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat