Shkup, promovohet projekt ndërkombëtar për infrastrukturë rrugore

Maqedonia

Shkup, promovohet projekt ndërkombëtar për infrastrukturë rrugore

Më: 17 maj 2019 Në ora: 19:49
Goran Sugareski

Në Shkup është bërë promovimi i projektit shkencor ndërkombëtar për zbatimin e arritjeve shkencore gjatë ndërtimit të rrugëve apo mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekti i titulluar “Zbatimi i PMB (Polymer modified bitumen) në shtresat bartëse të asfaltit”, është realizuar në bashkëpunim mes Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup dhe Universitetit Teknik të Çekisë.

Në promovimin e projektit i pranishëm ishte ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareski, i cili tha se ky eveniment është një mundësi e shkëlqyer për t’u njoftuar me arritjet më të mira profesionale dhe praktike në botë.

Ai theksoi se edhe momenti i mbajtjes së promovimit është i qëlluar, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut po bëhen investime serioze në infrastrukturën rrugore.

“Për momentin, nëpërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore po punohet në mbi 90 projekte, qofshin ato në bazë të ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve, urave, pikë-pagesave, etj”, tha Sugareski.

Në konferencën për media foli edhe Nikolla Jankullovski, Rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, i cili u shpreh i kënaqur nga rezultatet fillestare nga zbatimi i projektit.

“Zbatimi i rezultateve nga ky projekt, gjithsesi që do të kontribuojë në përmirësim të dukshëm të infrastrukturës rrugore të vendit tonë dhe çdoherë Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodij’ në Shkup do të kontribuojë dhe do të ndihmojë projekte të këtilla”, tha Jankullovski.

Në promovimin e projektit të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të fushës përkatëse, profesorë universitarë nga Maqedonia e Veriut dhe nga Republika e Çekisë, si dhe afaristë të shumtë.

Gjatë promovimit u tha se është realizuar një fazë testuese, me çka një aks rrugor është shtruar duke zbatuar materialet e reja dhe arritjet shkencore, ndërsa u potencua se rezultatet janë shumë pozitive.

Ky është projekti i parë ndërkombëtar që zbatohet në Maqedoninë e Veriut në fushën e infrastrukturës rrugore.

Projekti ka për qëllim përcjellje të eksperiencave më bashkëkohore që zbatohen në BE, ndërsa do të ndihmojë edhe në racionalizimin e mjeteve që investohen në infrastrukturën rrugore, pasi do të mundësojë zgjatjen e afatit të përdorimit të rrugëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat