Fjalimi i deputetit Vasil Sterjovski në Kuvend ne seancen e dates 16.05.2019

Maqedonia

Fjalimi i deputetit Vasil Sterjovski në Kuvend ne seancen e dates 16.05.2019

Më: 18 maj 2019 Në ora: 00:35

I nderuar kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Unë kam një detyrë historike për t'ju përcjellë përshëndetjet nga Maqedonasit të cilët janë qytetarë luajalë të Republikës së Shqipërisë, sepse ajo është edhe vendlindja jonë.

Në Shqipëri kemi lindur, në Shqipëri jetojmë, në Shqipëri punojmë, si qytetarë shqiptarë dhe së bashku do të kujdesemi dhe do ta mbrojmë Republikën e Shqipërisë, si Atdheun tonë të përbashkët dhe do të punojmë për integrimin e tij në Bashkimin Evropian, duke u mbështetur në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi një vend të bukur të cilit duhet t’i gëzohemi, Zoti dhe natyra na kanë dhënë gjithçka!

Unë jam Sekretari i Përgjithshëm i të vetmes Parti maqedonase në Shqipëri - Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, e cila ashtu si partitë e tjera politike, kujdeset mes të tjerash edhe për të përforcuar statusin dhe të drejtat e komunitetit maqedonas në shoqërinë tonë multikulturore, shumëgjuhëshe dhe multi-konfesionale. Maqedonasit e Shqipërisë iu bashkuan  partizanëve shqiptarë në Luftën e Dytë Botërore dhe ndihmuan në çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe u bënë pjesë e rëndësishme  e këtij vendi. Prandaj edhe ne, Maqedonasit, së bashku me Shqiptarët, Grekët, Vllehët, Romët, Egjiptianët, Serbët, Malazezët, Boshnjakët, ndihemi si të barabartë mes të barabartëve para Kushtetutës dhe ligjeve.

Deri tani ka pasur dhe ka shumë Maqedonas në institucionet e shtetit. Unë jam krenar, sepse jam deputeti i parë i minoritetit maqedonas në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në historinë e tij, që vjen nga një parti e regjistruar maqedonase. Në bazë të marrëveshjes parazgjedhore të vitit 2017 midis dy partive: Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian (AMIE) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), unë isha i pesti në listën e LSI-së, për Qarkun e Korçës.

I shpreh mirënjohje Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili në vitin 2013 ktheu toponimet maqedonase ne Bashkinë e Pustecit dhe nëntë fshatrat e saj.

Pusteci është një destinacion interesant turistik i lënë pas dore në këto 28 vite, ndaj qeveria duhet të investojë në zhvillimin e turizmit, infrastrukturën rrugore, rrjetin e ujësjellësve dhe kanalizimeve, si dhe duhet të ndihmojë në bashkëpunimin ndërkufitar, për zhvillimin e Parkut Kombëtar "Prespa" mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë.

Natyrisht, komuniteti maqedonas në Republikën e Shqipërisë nuk janë vetëm Maqedonasit në Bashkinë e Pustecit dhe f.Vërbnik në Zonën e Devollit. Maqedonasit në Shqipëri jetojnë në rreth pesëdhjetë fshatra përgjatë kufirit shqiptaro-maqedonas, në zonat e Prespës në Qarkun e Korçës, Gollobordës në Qarkun e Dibrës, Gorës në Qarkun e Kukësit, dhe në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Bilishtit, Pogradecit, Kukësit, etj

Të nderuar deputetë,

Maqedonasit në Shqipëri dhe Shqiptarët në Maqedoni janë urë bashkëpunimi dhe vëllazërie në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase mbi parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare bazuar në sovranitetin e barabartë.

Unë personalisht do të jap gjithçka nga vetja ime, së bashku me të gjithë ju, që deri në fund të mandatit të përmbush detyrimet e deputetit të këtij Kuvendi dhe do të mbaj përgjegjësi përpara sfidave me të cilat do të ballafaqohet shoqëria, qytetarët dhe shteti, të gjithë ne së bashku!

Faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat