Tetovë, ndërtohet pa respektuar kriteret minimale të sigurisë

Maqedonia

Tetovë, ndërtohet pa respektuar kriteret minimale të sigurisë

Më: 20 maj 2019 Në ora: 11:59
Tetova

Pa shkallë emergjence në raste zjarri, pa rrjet hidrantësh dhe pa aparate kundër zjarrit! Kjo është gjendja e shumicës së pallateve të banimit në Tetovë. Ndërtimi pa kritere të duhura me intensitet të lartë filloi pas vitit 2002, ndërsa mangësitë evidente vërehen sidomos tek objektet e ndërtuara viteve të fundit. Të njëjtat shpesh krijojnë telashe për zjarrfikësit, të cilët në raste zjarri, nuk mund të bëjnë evakuimin e banorëve nga pallatet e banimit.

“Ne si zjarrfikës tek objektet e reja shumë katëshe, kemi shumë telashe, probleme gjatë paraqitjes së ndonjë zjarri apo fatkeqësie natyrore. Duhet që çdo objekt i lartë të ketë shkallë ndihmëse për evakuim apo largim të banorëve. Është rrezik i madh për banorët kjo mungesë”, deklaroi Uka Aliti, Shef i Njësisë Kundër Zjarrit- Tetovë.

Shkallë ndihmëse nuk kanë edhe objektet e vjetra. Sipas sektorit të urbanizmit në komunën e Tetovës, shkallët ndihmëse janë prishur gjatë zgjerimit të hapësirave banesore brenda pallatit dhe se kontrollet bëhen vazhdimisht, ndërsa merren masa ndaj pronarëve që bëjnë shkelje. Fajtori kryesor, sipas përgjegjësit të Qendrës për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë qëndron kryesisht tek kompanitë e ndërtimit. Në projekt dokumentacion i theksojnë specifikat e sigurisë, por gjatë ndërtim nuk realizohen.

“Në bazë të dokumentacionit, gjitha i kanë të vizatuara në projekt mirëpo gjatë ndërtimit jo dhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim nuk ka kompetencë të merr masa ndaj investitorëve ngase firmat projektuese janë përgjegjëse për implementimin e projekteve”, tha Arif Arifi, përgjegjës i Qendrës për Mbrojtje dhe Shpëtim- Tetovë.

Arkitekti Besian Memeti madje thotë se këto lëshime ndodhin meqë shumica e objekteve të përurohen pa pasur inspektim teknik, por ka institucione që duhet t’i bëjnë këto kontrolle.

“Kam përshtypjen se ndoshta kanë as pranim teknik dhe lëshohen pa pasur pranimin teknik! Ekziston institucion që aprovon edhe projektin por që pas projektit bën edhe kontrollin apo aprovimin nëse ai ndërtim është bë komfort projektit dhe standardeve apo normave të projektimit”, u shpreh arkitekti Besian Memeti.

Pallatet në Tetovë, nuk kanë vetëm mungesë të pajisjeve për siguri dhe emergjenca. Pjesa dërmuese e tyre, gjatë ndërtimit nuk kanë paraparë as vend-parkime dhe as gjelbërim, që janë kusht për ndërtim, ndërsa si pasojë e neglizhencës së inspektorateve, kjo dukuri dita ditës merr përmasa shqetësuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat