“Reformat” në Agjencinë e Sigurisë ngritin dyshime për departizimin dhe funksionimin e këtij organi

Maqedonia

“Reformat” në Agjencinë e Sigurisë ngritin dyshime për departizimin dhe funksionimin e këtij organi

Më: 24 maj 2019 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Poligrafi, apo detektori i gënjeshtrave nëpër të cilin do të duhet të kalojnë punonjësit që do transferohen nga DSK në Agjencinë për Siguri Kombëtare, për ekspertët e sigurisë nuk është masë e mjaftueshme për të luftuar të komprometuarit dhe departizimin e këtij organi.

Eksperti i sigurisë Ljubomir Gjurçevski druan se pavarësisht reformave, ASK-ja përsëri nuk do të funksionojë në mënyrë profesionale nëse nuk filtrohen siç duhet efektivët e rinj.

Gjurçevskit vlerëson se që të bëhet përzgjedhja e duhur e punonjësve të ASK-së, të gjithë kandidatëve duhet tu shqyrtohen lëndët, punët, informatat e siguruara dhe rezultatet nga e kaluara.

“Poligrafi është për njerëz të cilët kanë kryer ndonjë vepër penale, dhe pyeten vetëm për elemente të asaj vepër penale e më pas shihet se si reagon pulsi i tyre. Kjo më së shumti është masë populiste pas së cilës do të fshihen themeluesit. Çka do i pyesim, a ka kryer dikush vepër penale? A kanë qenë anëtarë të ndonjë partie? Ne nuk kemi kriteriume. Problemi është në atë që me ligjin e ri nuk janë përpiluar kriteriume për për vlerësim profesional të punonjësve dhe marrja e profesionalistëve të cilët gjatë punës së tyre kanë dhënë rezultate që e bëjnë të obligueshme marrjen e tyre në ASK, e jo të merren ushtarë partiak që asnjëherë nuk kanë punuar asgjë-thotë Ljubomir Gjurçevski” Ekspert i sigurisë.

Drejtuesit e policisë thonë se komisioni për selektim të punonjësve të ASK-së, do të bëjnë shoshitjen e duhur të kandidatëve dhe se do merren parasysh të gjitha parametrat e sigurisë.

Zëvendësministri Agim Nuhiu, në emisionin “Rruga Drejt” siguroi qytetarët se në ASK nuk do të ketë vend për kandidatët që kanë qenë të inkuadruar në korrupsion apo kriminalitet.

“Për herë të parë do të aplikohet edhe testimi poligrafik, i vërtetësisë së pjesëmarrjes së personit në korrupsion, në kriminalitet ose në arbitraritet, në kontributin e tij në totaliratizmin dhe keqpërdorimet në institucionet e shërbimeve. Përpos këtyre kritereve ne do të realizojmë edhe çertifikatat e sigurisë, mendimin për përshtatshmëri në aspektin e sigurisë. Ata të cilët nuk i kalojnë fare do të përjashtohen nga institucioni, për ata nuk ka vend jo vetëm në ASK por as në MPB dhe në asnjë institucion tjetër” deklaroi dje në emisionin “Rruga Drejt”, Agim Nuhiu – Zëvendësministër i Punëve të Brendshme

Për ligjin e ASK-së votuan 91 deputet, përfshirë edhe ata të opozitës. I njëjti u dekretua nga Presidenti Pendarovski.

Pesë ditë pas shpalljes së Ligjit në Gazetën Zyrtare, kryeministri duhet të propozojë Drejtor të ASK-së, që duhet të merr miratimin e Qeverisë.

10 ditë pas hyrjes së Ligjit në fuqi, Ministri i Punëve të Brendshme duhet të propozojë tek qeveria dy komisione, një për sistemin organizativ të agjencisë dhe një komision për selektim të kandidatëve.

Ndërkaq zëvendësdrejtorin e propozon drejtori. Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë me punë në shtator të këtij viti.

Kjo Agjenci të jetë institucion i veçantë, jashtë Ministrisë së Punëve të Brendshmen dhe do të ketë funksion parandalues kurse të punësuarit nuk do të ketë autorizime policore.

Mungesa e “Vettingut” për punonjësit në shërbimet e sigurisë dhe skenimin e tyre, ka krijuar edhe mentalitetin e të fortëve të shtetit, fakt ky që u përmend edhe në raportin e Pribesë ku citohej nevoja e reformave urgjente, filtrimit të personave dhe ndryshimin e mentalitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat