Shkup, kryeministri Zaev ndryshon 1/3 e qeverisë

Maqedonia

Shkup, kryeministri Zaev ndryshon 1/3 e qeverisë

Më: 27 maj 2019 Në ora: 18:46
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar ndërrimin e më shumë se një të tretën e ministrave të kabinetit qeveritar, që do të nënkuptonte nevojën për votimin e gjithë Qeverisë në Kuvend.

Njoftimi erdhi pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë së tij Social-Demokrate, në të cilën u shkarkuan nga detyra të gjithë gjashtë nënkryetarët e partisë dhe organet tjera partiake.

“Unë jam afër ndërrimit të një të tretës së ministrave, që nënkupton se do të kemi votim për gjithë Qeverinë. Do të ketë ndryshime edhe në pozicionet tjera në Qeveri. Gjithkund ku është regjistruar arrogancë dhe mungesë të rezultateve do të ketë ndryshime. Do të përcjellë punën e çdo zyrtari, do të kritikoj dhe kërkoj dorëheqjen e secilit që nuk punon”, tha Zaev.

Zoran Zaev ndryshime pret edhe tek fushat që drejtohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Siç bëhet e ditur, Zaev i ka dorëzuar kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, një listë me emrat e zyrtarëve të kësaj partie që duhet ndryshuar për shkak të rezultateve të dobëta.

Ndryshimet në Qeveri dhe parti, Zaev i paralajmëroi që pas zgjedhjeve presidenciale, i pakënaqur nga rezultati, veçanërisht në raundin e parë, kur partia e tij LSDM, në koalicion me 31 parti, arriti fitoren me vetëm rreth 5 mijë vota diferencë kundrejt VMRO-DPMNE që në zgjedhje mori pjesë e vetme. Bazuar në deklaratat e Zaev, ndryshimet në Qeveri pritet të ndodhin në fillim të muajit qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat