Shkupi zyrtar pret hapjen e negociatave me BE-në

Maqedonia

Shkupi zyrtar pret hapjen e negociatave me BE-në

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 09:48
Ilustrim

Raporti pozitiv nga Komisioni Evropian me rekomandimin drejtuar Këshillit të Ministrave për hapjen e negociatave për anëtarësim, ka rritur besimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut se pas shumë pritjeve vendi do të shënojë edhe një hap në drejtim të integrimit evropian.

Kryeministri Zoran Zaev, thotë se data mund të mos caktohet në qershor për shkak të procedurave nëpër vendet e anëtare të BE-së, por ai është i bindur se kjo do të ndodhë në muajt e ardhshëm.

“Është e qartë se qershori është vështirë i arritshëm, megjithatë pres që data për fillimin e negociatave të jepet këtë verë. Detyrat tona i plotësuam nga e para deri te e fundit dhe besoj se plotësisht jemi të gatshëm për fillimin e negociatave”, ka deklaruar Zaev.

Raporti me rekomandimin për çeljen e negociatave nga autoritetet maqedonase është vlerësuar si konfirmim i politikave evropiane të qeverisë dhe i përmbushjes së të gjitha kritereve që dalin nga procesi i integrimit evropian. Komisioni nga të gjitha të arriturat ka veçuar Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit, që kishte bllokuar për shumë vite procesin euroatlantik.

Ndërkohë, opozita maqedonase ka thënë se sikur vitin e kaluar edhe këtë vit pushteti sipas saj po mashtron opinionin se gjoja vendi do të merr datën për nisjen e negociatave. Nga VMRO DPMNE-ja thonë se janë reformat ato nuk do të mundësojnë çeljen e negociatave.

“E vërteta është se datë nuk kishte dhe për fat të keq datë nuk do të ketë, pasi nuk ka reforma në sferat kyçe. Edhe ky raport qartë ka theksuat dobësitë në shumë sektor, para se gjithash për korrupsionin e lartë, gjendjen në administratën publike, gjendjen në ekonomike, sundimi e së drejtës, e kështu me radhë”,thuhet në një komunikatë tëVMRO DPMNE-së pas publikimit të raportit të progresit.

Nga ana tjetër, sa i përket marrjes ose jo të datës për nisjen e bisedimeve, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se kjo nuk varet tani nga Maqedonia por më shumë nga vendet e anëtare të BE-së disa prej të cilave kërkojnë reforma brenda unionit.

“Deri ditën kur do të mbahet samiti i Këshillit Evropian zhvillohen biseda politike, mund të bëhen lëshime, por mundet që vendet anëtare të mbeten në qëndrimet e tyre të forta se ende nuk është koha që në samitin e qershorit të jepet data, apo të sjellin ndonjë vendim për më vonë. Franca ka dilema se a duhet apo jo ti caktohet data Maqedonisë në qershor për arsyeje të brendshme të këtij vendi që do të thotë se BE-ja duhet të bëjë reforma të brendshme”.

“Nëse presidenti Macron mbetet në këtë qëndrim, kjo nuk është mirë pasi do të jetë një rrugë e gjatë pasi reformat e brendshme evropiane nuk mund të bëhet për një apo pesë muaj, por kërkojnë një procedurë të gjatë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish diplomati, Muhamed Halili.

Ngjashëm vlerëson edhe Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane. Sipas saj, mos celja e negociata mund të jetë dekurajuese për vendin në veçanti pas zgjidhës së kontestit me Greqinë se konsiderohej si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

“Kemi raport shumë të pastër dhe shtyrja e eventuale e vendimit për në vjeshtë besoj se më tepër do të kishte të bënte me çështjet brenda unionit se sa me kushtet e vendit. Edhe pse nuk duhet mohuar se institucionet i pret ende punë e madhe në disa sfera për të arritur nivelet më të mira të mundshme sa i përket arritjes së standardeve evropian. Mos dhënia e datës për bisedime do të ishte dekurajuese, në kohën kur vendi ka zgjidhur kontestin me emrin që për vite me radhë ishte vlerësuar si pengesa e vetme në procesin e integrimit evropian”, thotë Jordanova.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005 dhe prej atëherë çelja e negociatave ishte kushtëzuar me zgjidhjen e kontestit më Greqinë, si dhe me reforma tjera, por edhe me krizën politike dhe të sigurisë nëpër të cilën ka kaluar vendi gjatë kësaj periudhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat