Emrat e anëtarëve të rinj të qeverisë do të mësohen deri në fund të javës

Maqedonia

Emrat e anëtarëve të rinj të qeverisë do të mësohen deri në fund të javës

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 22:27
Shkupi

Afrohet dita kur kryeministri Zoran Zaev duhet ta finalizojë rikonstruimin e Qeverisë. Ndonëse akoma asgjë zyrtare, në opinion lakohen emrat potencial të cilët mund të preken nga “fshesa” e ashtuquajtur e kryeministrit. Jo zyrtarisht mësohet se ministri i Financave, Dragan Tevdovski mund të zëvendësohet me drejtoreshën e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Sanja Llukarevska, por nuk përjashtohet mundësia që në financa të kaloj edhe Koço Angjushev.

Në kuadër të ministrave të LSDM-së, nga ndryshimet do të preket edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski. As Zaev dhe as LSDM nuk bëjnë të ditur se kush është emri i cili është propozuar për këtë pozicion. Burime jo zyrtare nga LSDM-ja flasin për tërheqje të propozimit për ndryshime edhe në resorin e Drejtësisë. Alsat mëson se e para e këtij institucioni, Renata Deskoska do të vazhdojë të udhëheq me dikasterin e Drejtësisë. Pas emërimit të Lupço Nikollovskit për Sekretar të përgjithshëm, në ministrinë e Bujqësisë, pritet emër i ri.

Derisa LSDM-ja është përcaktuar për emrat e rinj dhe në procedurë e sipër është edhe zgjedhja e organeve të partisë pas shkarkimit të sekretarëve, nënkryetarëve dhe Këshillit Ekzekutiv, partnerët e koalicionit heshtin për procesin e rikonstruimit. Në BDI, edhe pse flitet për ndryshime konkrete, integristët tashmë disa ditë heshtin lidhur me emrat e mundshëm. Jo zyrtarisht mësohet se partia e Ahmetit është përcaktuar për ndryshimin e ministrit të Ekologjisë, Sadulla Duraku, duke e propozuar këtë të fundit në postin e zëvendëskryeministrit për Sistem Politik.

Në vendin e tij, mësohet të vij Naser Nuredini. Heshtje edhe në partinë Alternativa të Afrim Gashit. Pas dorëheqjes së Asaf Ademit nga posti i ministrit të Kulturës, partia e Gashit është në negociata me kryeministrin Zaev mbi modalitetet për ndryshimin e resorit apo propozimin e emrit të rinj për këtë post. Pas ciklit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, kryeministri Zaev tashmë disa herë ka deklaruar se deri në mesin e muajit qershor do të përfundojë procedura e rikonstruimit të Qeverisë. Ndryshimet do prekin edhe sekretarët shtetërorë dhe drejtoritë, derisa sipas vertikales, “fshesa” e Zaev do të prek edhe pushtetin lokal, respektivisht krerët e komunave. Arsyet për ndryshimet e paralajmëruara sipas të parit të Qeverisë janë kryesisht ekonomike. Sipas tij, institucionet nuk kanë realizuar pritjet e qytetarëve nga kjo Qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat