Zaev: Garantoj se bombat që po i hedh “El Cheka” nuk kanë dalë nga LSDM-ja

Maqedonia

Zaev: Garantoj se bombat që po i hedh “El Cheka” nuk kanë dalë nga LSDM-ja

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 15:30
Zoran Zaev

Kryeministri Zoran Zaev garanton se bombat të cilat “El Cheka” po i publikon në rrjetet sociale, nuk kanë dalë nga LSDM-ja. Ai tha se të gjitha materialet e përgjuara janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale Publike. Zaev nuk posedon informacion as nga ku janë siguruar të njëjtat, por thotë se institucionet duhet ta zbardhin rastin.

Gjithsesi se mundem të garantoj. Të gjitha bombat, shumica e të cilave ishin për opozitës, sektorin civil, biznesmenët, bashkësitë fetare, por edhe për Qeverinë e atëhershme, 100 për qind janë dorëzuar në PSP. Nuk e di, nuk kam informacion nga kanë dalë. Institucionet duhet ta vërtetojnë – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Të njëjtën gjë e garanton edhe Prokuroria Speciale Publike. Sipas organit special të akuzës, përgjimet nuk kanë dalë nga sistemi i tyre. Ekipi i Katica Janevas i bën thirrje të gjitha subjekteve që posedojnë materiale të përgjuara t’i dorëzojnë në PSP.

Materialet e përgjuara të cilat janë publikuar në rrjetet sociale nuk kanë dalë nga Prokuroria Speciale Publike. I garantojmë opinionit se të gjitha materialet të cilat i posedojnë, ruhen në sistem të siguruar i paraparë me procedurat e brendshme si fizike, administrative dhe informatike. Ndaj materialeve të publikuara jemi duke vepruar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje të gjitha subjekteve që posedojnë materiale të përgjuara të cilat janë siguruar në rrugë jo ligjore, t’i dorëzojnë në PSP – njoftojnë nga Prokuroria Speciale Publike.

Ditë më parë, Katica Janeva deklaroi se një pjesë e përgjimeve të publikuara nga “El Cheka” janë pjesë e materialeve të cilat i posedon PSP. Derisa burimi i përgjimeve nuk dihet, “El Cheka” i cili pretendon se të njëjtat i ka siguruar nga një pjesë e të dënuarve për rastin Lagja e Trimave, vazhdon me publikimin e tyre në rrjetet sociale. Në përgjimet e publikuara deri tani, protagonist bisedash janë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti me bashkë-partiakët e tij Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, Bekir Asani etj. Vetë Ahmeti përgjimet i cilësoi si “brymë mëngjes” të siguruara në pazare të zeza, ndërsa fyerjet në to i cilësoi si shaka. Ahmeti bëri thirrje që të publikohen biseda zyrtare, ndërsa kërkoi nga institucionet që ta zbardhin rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat