Anulohet debati për propozim ligjin për regjistrim në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Anulohet debati për propozim ligjin për regjistrim në Maqedoninë e Veriut

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 09:44
Regjistrimi i Popullsisë

Ishte paralajmëruar se sot do të mbahet diskutim për propozim ligjin për regjistrimin e popullatës por i njejti nuk do të mbahet dhe është hequr nga ueb faqja zyrtare e Kuvendit, pa ndonjë arsye shtesë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Dje OBRM-PDUKM-ja kërkoi që të rishikohet propozim ligji dhe të rishikohen metodat e regjistrimit. Sipas kësaj partie, propozim ligji është përgatitur pa konsultime shtesë dhe të njejtit i është vendosur flamuri i Bashkimit Evropian pa të drejtë.

Ndërsa nga LSDM-ja thanë se ky ligj është pregatitur në bashkëpunim me Eurostat dhe sipas praktikave më të mira për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave që duhet të mbahet në prill të vitit 2020.

Kujtojmë, se siç thuhet në tekstin e propozuar, në përputhje me Ligjin për Statistikat e Shtetit dhe Programin pesëvjeçar për sondazhet statistikore 2018-2022, Enti Shtetëror për Statistika në prill 2020 duhet të zbatojë regjistrimin e nëntë të popullsisë, banesave dhe familjeve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas propozim ligjit, regjistrimi do të shkaktojë implikime financiare në buxhetin e shtetit, si më poshtë: këtë vit, vitin tjetër (kur bëhet regjistrimi), si dhe në vitin 2021 (për mbledhjen, përpunimin dhe shtypjen e të dhënave të Regjistrimit dhe shpërndarjen e tyre). Prandaj, duhet të sigurohen gjithsej 522.751.000 denarë, nga të cilat 221.315.000 për vitin 2019 dhe 301.436.000 për vitin 2020.

Në propozim tekstin nuk thuhet se sa para do të nevojitet për vitin 2021 kur të dhënat e regjistrimit të procesohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat