Arrestimi i Jahi Jahiut, hetimi është inicuar nga shërbimet në BE dhe Itali

Maqedonia

Arrestimi i Jahi Jahiut, hetimi është inicuar nga shërbimet në BE dhe Itali

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 15:44
Jahi Jahiu

Për shkak të marrjes së ryshfetit prej 38 mijë eurove, policia e arrestoi Jahi Jahiun- sekretar shtetëror në Ministrinë e shoqërisë informatike dhe administratë. Prokuroria dhe MPB-ja dyshojnë se Jahiu së bashku me një punonjës tjetër në këtë dikaster kanë marrë para dhe kanë favorizuar kompaninë e cila e ka fituar tenderin për të realizuar një projekt të financuar me fonde IPA në vlerë prej më shumë se 1 milion euro, me gjasa për koordinimin e trajnimeve në administratën publike. Jahiut dhe kolegut të tij madje u janë paguar edhe udhëtime jashtë vendit. E kanë informuar kompaninë që ka aplikuar për kushtet e tenderit dhe i kanë mundësuar pozitë më të volitshme në garë. Organet e hetuesisë në vend, hetimin e kanë zhvilluar në koordinim me prokurorinë e Milanos nga Italia.

Në mënyrë të koordinuar janë zhvilluar bastisje në lokacione në Maqedoninë e Veriut dhe Itali, edhe atë në pesë vende në Shkup dhe Kumanovë dhe në tetë vende në Itali në seli të kompanive private. MPB lidhur me këtë vepër penale ka sekuestruar kompjuter Desktop, kompjuter Laptop, telefona celularë, tabletë, dy pistoleta, para dhe shumë dokumente zyrtare”-tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Dyshimet për korrupsion gjatë shpërndarjes së parave evropiane kanë zgjatur dy muaj. Janë përfshirë edhe organizata ndërkombëtare. Hetimi është iniciuar nga OLAF- Shërbimi evropian për parandalimin e mashtrimeve.

Janë bërë kontrollime dhe janë konfirmuar dyshimet për korrupsion gjatë shpërndarjes së mjeteve nga IPA fondet në vlerë prej 1.2 milionë euro në periudhën 2014-2016, ku janë përfshirë dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa veprimet janë kryer në Itali, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Rumani dhe vende të tjera evropiane”- thonë nga Prokuroria publike.

Në njoftimin e përbashkët të policisë dhe prokurorisë kujtojnë se Jahi Jahiu në vitin 2005 është ndjekur penalisht edhe për mashtrime zgjedhore, por në vitin 2006 vepra është rikualifikuar dhe Jahiu u dënua vetëm me para. Ndryshe, Jahi Jahiu që nga viti 2011 si kuadër i BDI-së e kryen detyrën e sekretarit shtetëror në Ministrinë e shoqërisë informatike dhe administratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat