Ziadin Sela: Përgjegjësi duhet të ketë edhe nga anëtarët më të lartë të BDI-së

Maqedonia

Ziadin Sela: Përgjegjësi duhet të ketë edhe nga anëtarët më të lartë të BDI-së

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 21:15
Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela nga mbledhja e rregullt e udhëheqësisë qendrore që u mbajt në Tetovë në një deklaratë për mediat i komentoi ndodhitë aktuale politike. Ai bëri të ditur se Aleanca për Shqiptarët është për model proporcional me lista të hapura, ndërsa deklaroi se duhet të konfirmohet përgjegjësia e BDI-së rreth zgjedhjes të gjykatësve dhe prokurorëve, njofton Koha.mk

“Ne jemi për ndryshim të kodit zgjedhor duke filluar nga ata votues fiktivë të cilët ende ekzistojnë në shtet, dëshmi më e mirë për atë janë referendumi, zgjedhjet presidenciale etj.  Sepse kjo shoqëri ka nevojë që të demokratizohet, kjo do të fillonte me ndryshimin e modelit të zgjedhjes dhe do të ishte proporcional me lista të hapura. Është koha që të përmirësohet cilësia e atyre të cilët e përfaqësojnë popullin, ndërsa mënyra më e mirë  për këtë është që pikërisht votuesit  t’i zgjedhin kandidatët të cilët i propozojnë partitë”, tha Sela.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët theksoi se në lidhje me bombat më të reja audio të publikuara në opinion do të diskutojnë më gjerësisht në organet e partisë sepse fokusi është vendosur në përgjegjësinë që duhet ta kenë faktorët politikë.

“Gjatë kohës së krizës politike kryeministri aktual, ndërsa atëherë lider i opozitës doli me fakte nga përgjimet ku qartë shihet se si i kurdisnin gjykatësit. Rasti i njëjtë është me bombat e reja që të shohim se sa thellë BDI-ja ka hyrë në kurdisjen e gjykatësve dhe prokurorëve, dhe se sa ai sistem gjyqësor është peng i Ali Ahmetit dhe BDI-së si parti. Duke e pasur parasysh këtë instalim të gjykatësve dhe prokurorëve që BDI-ja i ka bërë në kohën e sundimit të tyre, vendoset në pikëpyetje përgjegjësia edhe funksionarëve politikë dhe ish ministra, deputetë dhe aktualë të BDI-së”, tha njeriu i parë i ASH-së.

Në pyetjen e gazetarëve për arrestimin e nëpunësit nga radhët e BDI-së i dyshuar për marrje të ryshfetit, Ziadin Sela tha se edhe më herët ka theksuar se nuk duhet të ketë arusha të mbrojtura politike.

“Nëse në gjithë këtë proces dhe pritje të drejtësisë dhe së drejtës për të gjithë, nuk kishte asnjë ish funksionar të BDI-së që të përgjigjet penalisht për korrupsionin dhe krimin të cilin e kanë bërë në të kaluarën, në atë rast Zaevi duhej t’ia lëshonte vendin Ahmetit. Ai do të ishte “shumë i pastër”, “i pa korruptuar” dhe ministrat e tij do të ishin të pakorruptuar, që nuk është ashtu. Shpresoj se nuk do të ndalet vetëm me këtë dhe mendoj se nuk do të ndodhë fenomeni që vetëm tre dhe katër funksionarë  të BDI-së që të përgjigjen, por përgjegjësia duhet të fillojë të kërkohet edhe nga anëtarët e Qeverisë dhe në ditët e ardhshme do të shohim raste të tilla dhe të gjithë që kanë problem me ligjin do të përgjigjen”, potencoi Sela. Në mbledhjen e udhëheqësisë qendrore morën pjesë edhe kryetarët e degëve të rinisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat